Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, sulme të reja ruse përpara bisedimeve të paqes
14.05.2025 16:28
Një ditë para bisedimeve të paqes Moskë - Kiev në Turqi, sulme të reja ruse në një objekt energjetik në Kharkiv...

Një ditë para bisedimeve të paqes Moskë - Kiev në Turqi, sulme të reja ruse në një objekt energjetik në Kharkiv. Derisa presin për një armëpushim dhe negociata të drejtpërdrejta, Rusia po përgjigjet me sulme të reja.
"Presioni është i nevojshëm që Moska të ndalojë së menduari se bota ende mund të presë. Duhet një fund i luftës, dinjitoz dhe i drejtë. Rusia flet shumë për negociata të drejtpërdrejta, por kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje, ajo fshihet. Putini vendos gjithçka në Rusi. Kjo është lufta e tij, kështu që negociatat duhet të jenë me të.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kremlini ende nuk e ka konfirmuar nëse Putini do të ulet në tryezë me homologun e tij ukrainas, por ata kanë njoftuar se po dërgojnë një delegacion rus në Stamboll.
“Më 15 maj delegacioni rus do të jetë në Stamboll dhe do të ulet e të bisedojë me palën ukrainase atje.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
“Ne nuk duam të fillojmë një luftë të tretë botërore.”, tha presidenti francez Makron. Ai shtoi se lufta duhet të përfundojë dhe Ukraina duhet të jetë në pozitën më të mirë të mundshme për të filluar negociatat. Ata thonë se ukrainasit janë të vetëdijshëm se nuk mund të kthejnë të gjithë territorin që Rusia ka marrë që nga viti 2014, por nëse Moska nuk bie dakord për një armëpushim, sanksionet mund të vendosen në ditët e ardhshme.
"Armëpushimi mundëson situatën më të mirë humanitare dhe fillimin e bisedimeve që do të lejojnë zgjidhjen e çështjeve territoriale. Ata duan që armëpushimi të diskutohet në Turqi. Nëse konfirmohet mosrespektimi, ne do të vendosim sanksione në ditët në vijim, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.", - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Putini nuk po përkulet përpara presionit në rritje nga komuniteti ndërkombëtar. Ai thotë se i bëjnë gjërat në dëm të tyre.
"Ne nuk do të trembemi nga këto sanksione të reja. Frika nuk është një opsion. Kushdo që fillon të bjerë në panik, do të humbasë menjëherë gjithçka. Ata po bëjnë shumë gjëra në dëm të tyre.", - theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërkohë Trampi mbetet optimist për takimin e nesërm. Ai njoftoi se sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, do të marrë pjesë në bisedimet, të cilat ai tha se mund të jenë të frytshme.
FITORE DEMOLLI
