Liderët evropianë mbërrijnë në Tiranë, do të mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian

15.05.2025 12:12

Sytë e gjithë Evropës drejtohen sot dhe nesër drejt Tiranës....

Sytë e gjithë Evropës drejtohen sot dhe nesër drejt Tiranës. Sot 47 liderë të Bashkimit Evropian dhe vendet partnere do të mbërrijnë në Tiranë, ku do të priten në një darkë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, një ditë para Samitit të Komunitetit Politik, që do të mbahet më 16 maj.

Po gjatë ditës së sotme, kryeministri britanik Keir Starmer, do të nisë një vizitë zyrtare bilaterale, ku pritet të zhvillojë dhe një takim “kokë më kokë” me kryeministrin, Edi Rama, për të vijuar më pas me bisedimet mes dy delegacioneve.

Për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” (dhe pikat e tjera të kalimit kufitare PKK Hani i Hotit dhe PKK Morinë) në drejtim të Tiranës, Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash të cilat përfshijnë bllokime të akseve rrugore për automjetet e qytetarët.

Dita e nesërme, do të bëjë bashkë shumë liderë të Evropës, por jo vetëm. Ndërkohë që sot pritet të mbërrijnë në Rinas, disa prej liderëve që janë pjesë e samitit: kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, shefi i NATO-s, Mark Rute dhe  presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Gjithashtu do të vijë në Shqipëri edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.