Tiranë, të premten, Samiti i Komunitetit Politik Evropian

15.05.2025 14:39

Tiranë, të premten, Samiti i Komunitetit Politik Evropian...

Shqipëria do të kthehet nesër në kryeqendrën e Evropës, kur mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian. 47 liderë nga i gjithë kontinenti do të zbarkojnë në Tiranë, pjesa dërrmuese e tyre, që sot.

Drejtuesit më të lartë të BE-së, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta dhe përfaqësuesja për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, do të marrin pjesë këtë mbrëmje në një darkë informale me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa më 16 maj, Rama do ta nisë ditën me disa takime që do i paraprijnë Samitit të Komunitetit Politik. Parashikohet që ai të ketë bisedime me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, e më pas me homologun spanjoll, Pedro Sançez.

Kryeministri Rama do të ketë edhe gjatë pasdites një seri takimesh të tjera me homologë të ndryshëm evropian, përfshirë kryeministren italiane, Xhorxhia Meloni dhe presidentin turk, Rexhep Erdogan. Samiti i nis punimet paradite, i bashkëdrejtuar nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Kosta.

Tema e takimit është "Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, si dhe aftësinë për reagim ndaj kërcënimeve të ndryshme. Presidenti ukrainas, Zelenski, pritet gjithashtu të jetë pjesë e samitit.

E nesërmja e 17 majit do të jetë sërish një ditë e ngarkuar me dy vizita të tjera zyrtare, atë të presidentes së Moldavisë, Maja Sandu dhe më pas atë të presidentit francez, Emanuel Makron, i cili do të shoqërohet nga bashkëshortja. (Luljeta Ndoka, TVM2)