Rikonfigurimi i grupeve parlamentare, Limani: 4 deputetë të Frontit i bashkohen VLEN-it
Trazirat brenda grupeve parlamentare shqiptare...

Trazirat brenda grupeve parlamentare shqiptare nuk kanë të ndalur. Përderisa deputetët e ASh-së, krahu i Taravarit, paralajmëruan funksionim në opozitë, nënkryetari i Lëvizjes “Besa”, pjesë e koalicionit VLEN, Fatmir Limani, thotë se grupit parlamentar të VLEN-it iu janë bashkangjitur 4 deputetë të Frontit Evropian.
Ai fton edhe deputetët e Taravarit, që të mbeten në VLEN.
“Mendoj se të Frontit, gati 4, nëse nuk gaboj, i janë bashkangjitur shumicës parlamentare, e cila përbën Qeverinë. Për pjesën tjetër nuk do të flas, sepse vlerësimi dhe mendimi im është se deputetët e Aleancës janë më të mirët dhe më të përgatiturit. Shpresoj se do t’i thirrin arsyes dhe gjithë kësaj teme që sot e diskutova dhe do të bëhen bashkë ose do të qëndrojnë në formacionin e Qeverisë.”, - deklaroi nënkryetari i Lëvizjes “Besa”, Fatmir Limani.
Gashi: VLEN-i drejt grupit të ri parlamentar
Ndërkohë nga Kuvendi thonë se VLEN-i po përgatit grup të ri parlamentar. Deputetët e këtij koalicioni veç më kanë vendim për koordinator të ri në vend të koordinatorit të deritanishëm deputetit, Halil Snopçe.
Se cilët do të jenë përfundimisht deputetët që do ta përbëjnë koalicionin VLEN, kryeparlamentari Gashi thotë se do të mësohet me dhënien e nënshkrimeve të tyre.
“Varësisht prej asaj se kush do të nënshkruhet në shkresën për formimin e grupit parlamentar apo riformatimin e grupit, për shkak se, siç e dini, grupi parlamentar i VLEN-it funksionon që nga fillimi i këtij mandati. Tash nga kryesia e VLEN-it kemi një vendim për një koordinator të ri. Deputetët që do të nënshkruhen pas atij koordinatori do ta përbëjnë grupin e ri parlamentar të VLEN-it.”, - theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nuk i mohon kontaktet me Ziadin Selën. Në pyetjen nëse do të përfshihen deputetët e Selës në VLEN, ai nuk jep detaje. Koalicioni VLEN me shkëputjen e pesë deputetëve të ASh-së, krahu i Taravarit, aktualisht numëron 9 deputetë. (Meral Ismaili, TVM2)
