Maqedoni
Mexhiti dhe Ganiu inspektojnë punimet në Çair, 1.5 milion euro investim në rrjetin e ujësjellësit
15.05.2025 16:20
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, dhe kryetari i komunës së Çairit..

Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, dhe kryetari i komunës së Çairit inspektuan fillimin e rekonstruimit të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në Dizhon, me investim afër 1.5 milionë euro.
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, tha se kjo është një dëshmi e bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe qendror dhe e transformimit që po ndodh në Çair.
“Vetëm me këtë thirrje vitin e kaluar, Çairi mori gati 3 milionë euro nga Qeveria, ndërsa në fillim të këtij viti u morën mbi 8 milionë euro në projekte, që do të thotë se në 10 muaj qeverisje kemi ndarë mbi 11 milionë euro në grante për komunën e Çairit, nga 0 denarë të dhënë nga Qeveria e mëparshme në vitin 2022, 2023 dhe gjysmën e parë të vitit 2024.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se ky projekt përfshin 16 rrugë dhe përmirëson drejtpërdrejt jetesën e mbi 1.000 familjeve, duke siguruar ujë të pijshëm dhe sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e ujërave të ndotura.
“Ky projekt është një përgjigje e drejtpërtdrejtë ndaj nevojave dhe kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve të kësaj lagjeje, të cilët meritojnë infrastrukturë funksionale, moderne dhe të qëndrueshme. Me një vlerë totale prej 1.5 milion euro, ky është një ndër investimet më të mëdha që po realiozhen në territorin e komunës sonë.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ky projekt është pjesë e nënprogramit për projekte infrastrukturore në komuna për vitin 2024 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 100% fonde granti nga Qeveria.
BELINDA KOKA ADEMI
