Maqedoni
Dorëheqja e Taravarit, Gashi: Dorëheqja nuk ka arritur në Kuvend
15.05.2025 16:58
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka dorëzuar dorëheqje...

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në njoftimin e tij, ai ka theksuar se detyrën që e ka marrë, e ka ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit.
"Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale.
Ju falënderoj për besimin dhe mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për sistemin shëndetësor. Mbetem i hapur për bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen, gjithmonë i udhëhequr nga interesi publik.", ka njoftuar Taravari.
Mexhiti: Kuadrot e ASh-së do t'i mbesin VLEN-it
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i pyetur se kush do t’i zëvendësojë kuadrot e ASh-së në Qeveri, tha se të gjithë resorët që i ka pasur ASh-ja, mbeten në kuadër të VLEN-it. Mexhiti shtoi se së pari duhet të konstatohet dorëheqja e Taravarit, më pas do të bëhet analizë dhe do të jepen kuadrot më të mira.
“Të gjithë resorët që i ka pasur Aleanca për Shqiptarët mbeten në kuadër të VLEN-it. Nuk kam dëgjuar nga VMRO-ja që ka kërkesa të tilla, as publikisht, as në takime zyrtare. Spekulimet janë çështje tjetër.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Taravari të dorëhiqet, ndërsa të shkarkohen funksionarët e tjerë, sipas Mexhitit, tregon se vendimi i tij nuk korrespondon me anëtarësinë dhe strukturën e partisë.
“Kjo tregon d.m.th. që pjesa dërmuese brenda Aleancës për Shqiptarët, që në themelim ka qenë antipod i BDI-së, nuk pajtohen me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ka marrë rrugë të gabuar dhe është evidente që çdo ditë, pra, ka largime, ka paraqitje të mendimeve ndryshe nga funksionarë të ndryshëm. Kjo tregon se kryetari nuk është në vijë ma anëtarësinë dhe strukturat e partisë.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Sa i përket çështjeve etnike për të cilat foli Taravari, shprehi pakënaqësi në ditën kur vendosi të dalë nga Qeveria. Mexhiti tha se atyre çështjeve u ka dalë zot ai si zëvendëskryeministër dhe zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit nga Qeveria, partnerët e koalicionit pritet që të zhvillojnë koordinime për emrat e funksionarëve të rinj, që do të zëvendësojnë kuadrot e Taravarit, pas përfundimit të procedurave zyrtare për largim.
FLORIJE KAMBERI
