Botë
Takimi i liderëve te presidentja, Osmani, Liderët opozitarë thonë se nuk u ofrua zgjidhje
15.05.2025 17:19
Edhe takimi i liderëve te presidentja, Vjosa Osmani, nuk dha ndonjë zgjedhje konkrete...

Edhe takimi i liderëve te presidentja, Vjosa Osmani, nuk dha ndonjë zgjedhje konkrete për konstituimin e Kuvendit. Kështu deklaruan pas takimit liderët opozitarë, sipas të cilëve në takim, palët kanë mbetur në qëndrimet e tyre.
“Në emër të PDK-së kërkova që kryetari i VV-së, Albin Kurti, ta ndryshojë kandidatin dhe të vijë me një propozim që ka mbështetje. Një gjë e tillë nuk pres që të ndodhë. Duhet ta shohim këtë takim si një hap të parë për të gjetur një rrugëzgjidhje.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Kryesisht partitë politike qëndruan në pozicionet paraprake, nuk kishte ndonjë zgjidhje për ngërçin politik apo ndonjë iniciativë që do ta zgjidhte situatën e tanishme.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kemi dhënë idenë tonë që të ecim përpara. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues.”, - u shpreh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Krasniqi dhe Abdixhiku njëherit kërkuan nga presidentja Osmani që ta çojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e bllokimit të konstituimit të Kuvendit. Presidentja Osmani u shpreh e gatshme që t’i drejtohet kushtetueses, por fillimisht vlerëson se duhet pritur edhe një kohë që partitë politike të gjejnë zgjidhje. Osmani tha se ky ishte vetëm takimi i parë dhe se takimet me liderët do të vazhdojnë.
“Më lejoni të sqaroj se ky është vetëm takimi i parë dhe nëse shihet e nevojshme do të takoj liderët e partive edhe individualisht për të vazhduar edhe me formate tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për formimin e Qeverisë së re, sepse këto ekskluzivisht i takojnë negociatave të partive politike dhe institucioni i presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti, por përkundrazi.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Takimi te presidentja u mbajt pas dështimit të përpjekjes së 16-të të konstituimit të Kuvendit, pasi përsëri nuk u miratua propozimi i kryesuesit, Avni Dehari, që të kalohet në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
GYLTENE SINANI
