Botë

Për luftën në Ukrainë, negociata paqeje në Turqi pa Zelenskin dhe Putinin

15.05.2025 18:28

Bisedime paqeje në Turqi pa pjesëmarrjen e Putinit...

Delegacionin rus e udhëheq ndihmësi i tij, Vladimir Medejnski. Kievi është i gatshëm të negociojë në të gjitha format për t’i dhënë fund luftës, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, por shtoi se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit rus, pa pjesëmarrjen e Putinit.
 
“Delegacioni rus ka mbërritur në Stamboll dhe është përgatitur për vendime serioze.”, - deklaroi zëdhënësja në Ministrinë e Jashtme ruse, Marija Zaharova. 
 
“Delagacioni ynë është në nivel më të lartë për të marrë çdo vendim që mund të çojë në paqen e pritur dhe të drejtë. Zyrtarisht nuk e di akoma nivelin e delegacionit rus, por ajo që shohim më tepër ngjan në nivel dekorimi. Do të mendojmë çfarë do të bëjmë në vazhdim dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm. Duhet patjetër ta kuptojmë se në çfarë niveli është delegacioni rus dhe çfarë mandatesh kanë dhe a janë të denjë për të marrë vetë vendime.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, i cili merr pjesë në negociata, ka qëndrim të qartë “Trampi dëshiron që lufta të përfundojë”, nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, u shpreh Rubio.
 
“Presidenti i ShBA-së ishte mjaft i qartë dhe dëshiron që lufta sa më shpejt të marrë fund. Ai e pranon çdo mekanizëm që çon në rrugën e drejtësisë dhe paqes afatgjate. Kjo është e gjitha që dëshiron të shohë. Sa më shpejt që do të arrihet marrëveshja për përfundimin e konfliktit, aq më pak njerëz do ta humbin jetën.”, - u shpreh sekretari i ShBA-së, Marko Rubio. 
 
Trampi bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin, që kur Putini, iniciatori i bisedimeve të drejtpërdrejta, e refuzoi ftesën e Zelenskit. Sipas analistëve, fakti që Putini nuk u paraqit në Stamboll, tregon se ai nuk dëshiron të ndërpresë konfliktin.
 
“Putini sigurisht që nuk dëshiron ndërprerjen e luftës, por gjithashtu nuk dëshiron të duket si personi përgjegjës për vazhdimin e armiqësive, prandaj ai vazhdimisht gjen mënyra të reja për të bindur Trampin, se akoma duhet të vazhdojnë negociatat, por absolutisht është e qartë se Putini nuk është i interesuar për armëpushim.”, - deklaroi analisti i pavarur, Fedor Krasheninikov.
 
Paralelisht me takimin në Stamboll, në Antalia, mbahet një takim formal i NATO-s, prej atje shprehen me tone skeptike për përparim të mundshëm në bisedimet mes Moskës dhe Kievit.
 
“Ukraina është e gatshme për të ndaluar luftën dhe është angazhuar për negociata urgjente. Topi tani është në anën e Rusisë. Jam akoma optimist se mund të ketë përparime ditëve në vijim dhe shpresoj të arrihet gjuhë e përbashkët.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. 
 
“Nuk kemi shumë pritshmëri të mëdha, nuk shohim indikacione për paqe nga ana e Rusisë, por a do të ndërmerret ndonjë vendim i mundshëm? Nuk e di, do të shohim!”, - u shpreh ministrja e Punëve të Jashtme – Lituani, Baiba Braze.
 
Në përpjekje për të rritur presionin mbi Moskën të pranojë një armëpushim për Ukrainën, Brukseli prezanton paketën e re të sanksioneve për Rusinë. Këto janë negociatat e para të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës, që kur ka filluar lufta në vitin 2022, janë mbajtur gjithashtu edhe disa takime të tjera në Turqi, por nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU