Samiti i Komunitetit Politik Evropian, liderët e kontinentit priten nga kryeministri, Rama

16.05.2025 12:33

Tirana ka pritur liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian...

Tirana ka pritur liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që mbahet në Tiranë. Samiti i  6-të që mbahet është nën logon “Evropa e re në botën e re”.

Disa prej kryeministrave evropianë mbërritën një ditë më parë, teksa të tjerët do t’i bashkohen kryeministrit Edi Rama këtë të premte në bisedime.

Fillimisht, liderët do të mblidhen në një seancë plenare dedikuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës.

Më pas do të zhvillohen tri tryeza të nivelit të lartë mbi temat: siguria e Evropës dhe qëndrueshmëria demokratike; konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike përfshi sfidat e lëvizshmërisë, si dhe fuqizimi i të rinjve.

Pasdite do të ketë takime dypalëshe mes krerëve të delegacioneve dhe një sesion përmbyllës plenar.

Ngjarja do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 18:30 nga kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Danimarkës, vendi pritës i samitit të ardhshëm.