Samiti për sigurinë e energjisë digjitale, së shpejti ligji i sigurisë kibernetike

16.05.2025 14:13

Në Samitin nacional për sigurimin e energjisë digjitale...

Në Samitin nacional për sigurimin e energjisë digjitale dhe infrastrukturën kritike u theksua për rëndësinë dhe investimet strategjike në infrastrukturë, rreziqet klimatike, aspektet e biodiverzitetit, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të gjelbra të punës, inkurajimin e inovacioneve deri në vitin 2030.

“Investimet strategjike në infrastrukturë që marrin parasysh rreziqet klimatike dhe aspektet e biodiverzitetit janë një mjet i fuqishëm për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të gjelbra të punës, inkurajimin  e inovacioneve dhe arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm deri në vitin 2030.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, pret që Projektligji për Sigurinë Kibernetike të kalojë procedurën qeveritare deri në fund të këtij muaji dhe të hyjë në procedurën parlamentare në fillim të qershorit.

Ai pret që zgjidhja e re ligjore të mbështetet nga të gjithë deputetët, sepse, siç thotë ai, nuk është një ligj politik, por një ligj që do të thotë siguri për të gjithë shoqërinë.

“Duke marrë parasysh se si sulmet kibernetike drejtohen tani ndaj infrastrukturës kritike dhe sa të cenueshme mund të jenë sistemet e prodhimit dhe furnizimit me energji elektrike, një samit i tillë, i cili do të diskutojë politikat e digjitalizimit në aspektin e energjisë, është me rëndësi të jashtëzakonshme.”, - theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

Ministrja Bozhinovska theksoi se është bërë hapi i parë me Ligjin e Energjisë dhe tani pret nënshkrimin nga kryetari i Parlamentit dhe presidenti i vendit. Por, Metodologjia e Varfërisë Energjetike është duke u zhvilluar tashmë, disa kompani po shqyrtojnë bateritë dhe më pas do të pasojnë aktet nënligjore.

“Është një infrastrukturë kritike për të gjithë vendin dhe ne duhet t'i kushtojmë më shumë rëndësi këtu, domethënë, të mbrojmë linjat e transmetimit dhe të gjithë prodhimin tonë, si dhe hidrocentralet dhe termocentralet. Ne tashmë e kemi diskutuar këtë me ministrin  e Transformimit Digjital dhe do të punojmë intensivisht dhe ky ligj është plot risi.”, - u shpreh ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Sipas Bozhinovskës, ende nuk është diskutuar se kush do të kujdeset për sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe nëse do të angazhohen kompani private. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)