Maqedoni

Zhvillimet në bllokun politik shqiptar, Mexhiti: Kemi 13-14 deputetë

16.05.2025 15:38

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, siguron se Qeveria është stabile...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, siguron se Qeveria është stabile dhe shumica shqiptare në Kuvend numëron 13 apo 14 deputetë edhe pa Taravarin. Sipas Mexhitit, deputetët janë të Frontit Evropian, të cilët do të jenë mbështetje për Qeverinë. Ndërkohë sa i takon kalimit të Taravarit në opozitë, Mexhiti thotë se për këtë nuk pajtohet anëtarësia. 
 
“Unë mendoj se pjesa dërmuese e anëtarësisë së Aleancës do të mbetet në VLEN. Ata e kanë derën hapur në VLEN, ata kanë kontribuar për këtë fitore, kanë kontribuar për ndryshime dhe nëse dikush i ka borxh BDI-së dhe Ahmetit mund të vazhdojë të shkojë tek Ahmeti, por pjesa dërmuese e Aleancës besoj që do të mbetet brenda VLEN-it. Ende pa përfunduar epilogu me Aleancën, unë e them edhe sot se Qeveria ka numrin e njëjtë të deputetëve, aq sa ka pasur edhe me Taravarin.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Taravari: VLEN-i ngeli në testin e pushtetit
 
Por, kryetari i ASh-së, Arben Taravari, në një intervistë për gazetën Nacionale e thotë të kundërtën, se blloku shqiptar në pushtet ka ngelur me 9 deputetë, duke vënë në diskutim edhe legjitimitetin e Qeverisë. Madje Taravari mohon që për braktisjen e Qeverisë të ketë gisht BDI dhe Ahmeti.
 
“Nuk e di pse është krijuar perceptimi se në vendimet e Aleancës për Shqiptarët ka gjithmonë një palë tjetër që vendos! Jo! Vendimi për të dalë nga Qeveria ishte vendim unanim i organeve partiake, të cilat janë sovrane dhe të pavarura.”, - është shprehur kryetari i ASh-së, Arben Taravari. 
 
Ndërkohë nga VLEN-i thonë se janë duke menduar për pasardhësin e Taravarit.
 
“Kemi komunikim intensiv me grupe të ndryshme politike, me subjekte. T’i përfundojmë këto bisedime dhe varësisht nga kjo, do të shohim se kush do të jetë ministër i Shëndetësisë, por edhe për pozitat tjera.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. 
 
Sipas deklarimeve të Mexhitit, hisja e Taravarit në Qeveri mbetet brenda VLEN-it. Por, mbetet i paqartë pozicionimi i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili ende nuk është prononcuar edhe përkundër mungesës së tij në takimet partiake të Taravarit.
 
MERAL ISMAILI