Maqedoni
Gjykimi për vrasjen e dyfishtë, prezantohen dëshmi shtesë
16.05.2025 16:16
Me prezantimin e dëshmive shtesë vazhdoi gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorgjevskës dhe Pançe Zhezhovskit...

Me prezantimin e dëshmive shtesë vazhdoi gjykimi për vrasjen e Vanja Gjorgjevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Pse gëzhoja e gjetur pranë trupit të pajetë të Zhezhovskit, e cila është provë e Prokurorisë, nuk është bërë ekspertizë, ishte në fokus të gjykimit të sotëm.
Prokurorja, Zhaklina Kërstevska Josifovska, duke u thirrur në raportet e siguruara policore tha se për shkaqe teknike dhe specifike të karakteristikave të gëzhojës nuk është mundur të kryhet ekspertiza, por kjo sipas saj, në asnjë moment nuk hedh hije në provat dhe veprën penale për të cilën të pandehurit po akuzohen.
E pamundur ka qenë të bëhet krahasimi i gëzhojës dhe i pistoletës, të cilin e ka poseduar i akuzuari, Boro Videvski, edhe për shkak se ai asnjëherë nuk ka kryer asnjë gjuajtje provë. Pala mbrojtëse insiston se ekspertiza që mungon është prova e cila sipas tyre, do t’i shfajësojë ata nga kjo vepër penale.
“Përmes mënyrës kontrabandiste dëshirojnë të fshihet një punë e cila është e rëndësishme, e ajo është se të gjendet arma përmes së cilës është shkrepur gëzhoja, respektivisht a është e shkrepur nga arma legale apo ilegale. Mirëpo në këtë rast, qëllimisht është bërë një ujdi për të tejkaluar të gjithë procedurën ku kjo punë do të kufizohet vetëm tek arma e Boro Videskit.”, - deklaroi avokati i Palevskit, Jovica Strashevski.
“MPB-ja nga një anë jep dokumentacion se pistoleta është legale, ku nuk kontestohet se arma është pajisur në mënyrë legale, mirëpo nga ana tjetër, dorëzon dokumentacion tjetër ku thuhet se nuk janë gjetur gëzhoja të shkrepura në bazën e të dhënave policore. Unë po pyes, si është e mundur nga një armë legale të mos gjendet asnjë gëzhojë e shkrepur. Këtu ose dikush nuk dëshiron të shfletojë mirë e gjerë bazën e të dhënave ose ka diçka tjetër. Po hyjnë në një problem shumë të madh, ku për momentin kemi një situatë shumë të paqartë.”, - theksoi avokati i Videvskit, Bojan Manev.
Prokuroria i dorëzoi trupit gjykues prova dhe materiale tjera dëshmuese nga komunikimet që janë shkëmbyer mes Lupço Palevskit dhe Eroll Osmanit, i cili u mor në pyetje si dëshmitar gjatë kësaj procedure.
Njëherit prokurorët prezantuan edhe njëherë video-materialin përmes së cilës shihet se Pallevski, Manevi, Videvski dhe Keshishevi kthehen ta marrin lopatën për t’i varrosur viktimat, dhe kjo provë sipas tyre, është planifikim i qartë për vrasjen e Vanjës.
“Pamjet u dorëzuan si kundërpërgjigje të pretendimeve të të pandehurve se ata nuk kishin motiv për të vrarë, por kishin dalë për të rrëmbyer njerëz. Fakti që ata kthyen për lopatën, e marrin me vete, sepse e kishin harruar paraprakisht, tregon se ata ishin të përgatitur për ta vrarë Vanjën.”, - deklaroi prokurorja, Zhaklina Kërstevska Josifovska.
“Video-xhirimet e dorëzuara të Prokurorisë kanë qenë prova të propozuara edhe nga ana ime si avokat i Aleksandar Gjorgjevskit, përmes së cilës po vërtetohet se dita kritike me 24-tin, e ajo është dita e përpjekjes së dështuar të rrëmbimit të Vanjës, kthimin e Velibor Manevskit dhe Bore Videvskit për t’u kthyer dhe marr lopatën, e përjashton mundësinë që babi i Vanjës të ketë rast. Ekzekutorët kanë pasur qëllim të qartë për ta vrarë Vanjën.”, - theksoi avokati i babit të Vanjës, Vladimir Tufegxhiq.
Palevski dhe avokatët e të pandehurve paralajmëruan se gjatë procedurës së plotësimit të dëshmive shtesë edhe ata do të dorëzojnë dëshmi tjera për të hedhur poshtë veprën penale, që u ngarkohet pa prova të plotësuara të të pandehurve.
REXHEP QAMILI
