Maqedoni

Djegia e spitalit modular në Tetovë, Besimi dhe Etemi u dënuan me një vjet e gjashtë muaj burg

16.05.2025 16:35

Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me një vjet e gjashtë muaj burg...

Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me një vjet e gjashtë muaj burg për rastin e spitalit modular në Tetovë, ku si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 persona. Ndërkohë Spitali i Tetovës si person juridik është dënuar me gjobë prej 1 milion denarësh. I dënuari, Flroin Besimi, tha se ky gjykim nuk synonte të nxjerrë në pah të vërtetën e kësaj tragjedie, të zbuloi arsyet e zjarrit, e as përgjegjësit.
 
“Jo! Ky gjykim u kthye në një gjueti, faji ndaj atyre që nuk kanë pasur as fuqinë, as përgjegjësinë për këtë tragjedi. Mua më akuzuan për mungesë të aparateve për zjarr, a në fakt unë  kam qenë kundër këtij objekti dhe kam refuzuar të pranoj objektin edhe pse dëshmitarët konfirmuan që ka pasur aparate, edhe pse të gjithë ne e pamë me sytë tanë, se atë zjarr nuk do ta ndalte asnjë aparat dore! Kjo nuk është drejtësi. Kjo është shmangie nga e vërteta.”, - theksoi ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi.
 
Avokati i Spitalit të Tetovës, Valon Abudlhamidi, thotë se vendimi nuk është i drejtë dhe sipas tij, ky vendim do të ankimohet në Gjykatën e Apelit.
 
“Kundër këtij vendimi në kohë do të deponojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit dhe presim që e njëjta të nxjerrë vendim meritor.”, - u shpreh avokati i Spitalit të Tetovës, Valon Abdulahmidi.
 
Edhe familjarët e viktimave të zjarrit në spitalin modular nuk janë të kënaqur me këtë gjykim. Ata kërkojnë që të dënohen personat përgjegjës dhe ish-funksionarë dhe të drejtën e tyre do ta kërkojnë edhe në Strasburg.
 
“Para gjykatës duhej të vinte edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Filipçe, dhe Angjushevi nga Firma “Brako”, ata që e bënë instalimin elektrik në spitalin modular. Ata duhet të jenë fajtorë për këtë tragjedi, por shteti vendosi që Florin Besimi dhe Artan Etemi të jenë të dënuar, nuk them se nuk kanë faj as këta, por faji është më lartë.”, - theksoi familjari i spitalit modular, Mumin Ismaili. 
 
“Ndjehem i turpëruar të dal nga gjykata, për 14 persona që vdiqën të dënohen me 1 vit e 6 muaj. Nuk e di as vetë të them. Këtu nuk jetohet, ky shtet nuk bëhet asnjëherë. Nuk e marrin si bazë ekspertizën e Gjermanisë, derisa nuk merret për bazë kjo, nuk mund të shkojë përpara kjo.”, - deklaroi familjari i viktimave të spitalit modular, Ibin Emshi. 
 
Edhe dënimi i parë ishte një vit e gjashtë muaj burg për Etemin, Besimin dhe dënim me para Spitalit Modular, por me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht. Ndërsa të dënuarit kanë paralajmëruar se vendimin do ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit.
 
VISAR SADIKI