Botë

Sulme të reja në Rripin e Gazës, kanë mbetur të vrarë mbi 140 persona

16.05.2025 17:17

Mbi 140 viktima të reja nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës...

Forcat e Tel Avivit intensifikuan sulmet në enklavë. Sipas zyrtarëve palestinezë, vetëm në bombardimet e djeshme janë regjistruar mbi 140 viktima. Forcat tokësore izraelite, nga ana tjetër, sulmuan zonën Beit Lahija, duke shkaktuar një zhvendosje të re të civilëve.
 
Gjithashtu ka pasur viktima në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi Izraeli nisi një operacion në shkallë të gjerë pas vrasjes së një gruaje shtatzënë izraelite.
 
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara përshëndetën nisjen zyrtare të Fondacionit të ri humanitar të Gazës për të nisur ndihmën, pas marrëveshjeve kryesore me zyrtarët izraelitë. Izraeli, megjithatë, nuk do të financojë fondacionin, por do të lehtësojë përpjekjet e grupit.
 
"Një nga parimet bazë të këtij plani është se ai është i pavarur, që synon të sjellë ndihma humanitare në Gazë. Por, ne duhet të shohim se si ndihmat hyjnë në Gazë në një mënyrë që nuk lejon Hamasin ose terroristët e tjerë të marrin ato ndihma.", - deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tomi Pigot.
 
"Unë i kam bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të përfshihen. Ata flasin aq shumë për çështje humanitare në Gazë, kështu që këtu është fondi i udhëhequr nga ShBA-ja, gati për të punuar. Izraeli nuk do të përfshihet në qendrën operative. Ne do të lehtësojmë përpjekjet e grupit dhe do t'i lejojmë ata të kalojnë nëpër territorin që ne veprojmë, por definitivisht nuk do t'i financojmë ata.", - theksoi ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Deni Danon.
 
Sulmet në veri të Gazës vijnë pasi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, përfundon vizitën e tij në vendet e Gjirit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, tha se administrata e presidentit ishte "e shqetësuar" nga situata humanitare.
 
FITORE DEMOLLI