Maqedoni
Partneriteti strategjik RMV-MB pritet të sjellë investime në vlerë prej 6 miliardë eurosh
17.05.2025 14:02
Gjithsej 6 miliardë euro do sjellë marrëveshja për partneritet strategjik midis Maqedonisë e Veriut dhe Britanisë së Madhe...

Gjithsej 6 miliardë euro do sjellë marrëveshja për partneritet strategjik midis Maqedonisë e Veriut dhe Britanisë së Madhe. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shkup Methju Llosën në Shkup zyrtarizuan bashkëpunimin, duke thënë se marrëveshja do të hapë derën për bashkëpunim më të lartë në fushën e mbrojtjes, luftën kundër krimit të organizuar dhe financave të paligjshme. Përveç kësaj, do të mundësojë investime të mëdha në arsim, shëndetësi, kulturë, politika rinore dhe zhvillim më të madh ekonomik.
“Pse marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar është e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë? Do të jetë baza dhe themeli i një cikli investues që do të ketë kornizë të plotë në vlerë të 5 miliardë funtave, respektivisht 6 miliardë eurove. Një pjesë e këtyre mjeteve do të shfrytëzohen për investime në infrastrukturë, ndërtimin e rrugës hekurudhore kargo, moderne dhe të shpejtë nga Tabanoci deri në Gjevgjeli. Do të ketë investime në shëndetësi dhe spitale të reja. Përfundimi i projektit për spitalin klinik në Shtip bashkë me ndërtesën e Fakultetit të ri të Mjekësisë, konviktit studentor me kapacitet prej 200 shtretërve. Ndërtimi i spitalit në Kërçovë bashkë me Shtëpinë e Shëndetit. Rikonstruimi spitalit klinik në Tetovë e kështu me radhë.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Por si, kur, në çfarë mënyre dhe kushte do të arrijnë 6 miliardë euro në vendin tonë, deri në këto momente ende nuk dihet. Mickoski thotë se të dyja qeveritë po punojnë në përmbylljen e detajeve për shfrytëzimin e këtyre mjeteve për investime. Mickoski dhe ambasadori Llosën vlerësuan se kjo marrëveshje është shtylla e dytë kyçe e pozicionimit ndërkombëtarë të vendit tonë, pas partneritetit strategjik që ka vendi me ShBA-të dhe sipas tyre, është një konfirmim shtesë, për stabilitet, siguri dhe të ardhme e sigurt eurovipane. Llosën hedh poshtë spekulimet se kjo marrëveshje detyron pranimin e migrantëve tek ne.
“Jam i kënaqur që vendi juaj u dakordua për këtë bashkëpunim. Ky bashkëpunim ka të bëjë me bashkëpunimin policor midis agjencive, duke u ballafaquar me grupet kriminale, shkëmbim më të mirë me informacione zbuluese, dhe ne këtë e bëjmë edhe me disa vende tjera evropiane. Nuk ka të bëjë me pranimin e migrantëve nga Britania. Ky është një partneritet i gjerë, ka shumë spekulime në mediat britanike. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim në luftimin e grupeve të emigrantëve këtu dhe në rajon, bashkëpunim midis policisë, ndarjen e informacionit konfidencial. Thelbi i marrëveshjes është ekonomia.”, ambasador i Britanisë në RMV, Methju Llosën.
Kjo marrëveshje u negociua për disa muaj radhazi mes ekipeve nga të dyja vendet, u tha me këtë rast. Marrëveshja për partneritet strategjik midis Britanisë së Madhe dhe Maqedonisë së Veriut u arrit të premten në Samitin e Tiranës mes Mickoskit dhe kryeministrit britanik Starmer.
REXHEP QAMILI
