Maqedoni

VLEN: BDI-në nuk e shpëtojnë as pazaret e fundit

17.05.2025 14:31

Tundimet e fundit në qeveri kanë shtuar dozën e akuzave të ndërsjella të partive politike shqiptare...

Tundimet e fundit në qeveri kanë shtuar dozën e akuzave të ndërsjella të partive politike shqiptare. Koalicioni VLEN ka drejtuar gishtin kah BDI duke e fajësuar se në përpjekje për të shpëtuar veten po përpiqet që të përdorë si vegël ndihmëse ndonjë individ të dalë nga binarët e ndryshimit, duke i’u referuar kreut të ASH-së Arben Taravari. Sipas VLEN edhe vetë Taravari ka zgjedhur të bëhet pjesë e kësaj skeme.
 
“Në këtë skemë të mjerë, përdorimi i Arben Taravarit nuk është gjë tjetër veçse përpjekja e fundit për të krijuar tymnajë, për të devijuar vëmendjen nga rënia e BDI-së dhe përgjegjësitë e rënda që bart lideri i saj. Taravari ka zgjedhur të bëhet pjesë e këtij plani, por nuk është as vendimmarrës, as qendror, është vetëm një mjet i hedhur në tavolinën e një politike të dëshpëruar.”, - thonë nga koalicioni VLEN.
 
Taravari: VLEN nuk përfillet në Qeveri
 
Reagimi i koalicionit VLEN vjen pas një prononcimit të Taravarit për media shqiptare se largimi i tij ka qenë i diktuar nga mospërfillja e kërkesave shqiptare në qeveri për 11 muaj qeverisje. Çështjet që nuk janë realizuar sipas Taravarit janë rruga e bllokuar evropiane, mos decentralizimi i plotë i pushtetit lokal si dhe mosmiratimi i ligjit për përfaqësim të drejtë pas shfuqizimit të balancuesit nga nëntori i vitit të shkuar. Në këtë periudhë sipas Taravarit janë bërë punësime të më shumë maqedonasve dhe të pak shqiptarëve.
 
“Ne si ASH nuk jemi mësuar të jemi dekor në Qeveri. Prandaj vendosëm të dalim në opozitë dhe të kthehemi te qytetari, të bashkëbisedojmë me ata dhe të përgatitemi për zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor të këtij viti. Jemi 5 muaj para zgjedhjeve lokale, duhet të mobilizohet partia sepse për ne shumë e rëndësishme është korrja e fitores në zgjedhjet vendore.”, - ka deklaruar Taravari.
 
BDI: Politikat monoetnike rrezikojnë bashkëjetesën
 
Kundërpërgjigje edhe nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Ai është shprehur se shqiptarët nuk mund të jenë hyzmetqarë në shtëpitë e tyre dhe ka kundërshtuar idenë e shtetit monoetnik të cilin sipas tij e synon kryeministri Mickoski.
 
“Mickoski të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të shpjegojë:
Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhës?
Pse po e ndryshon Marrëveshjen e Ohrit?
Pse po e rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”, - është shprehur kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas tij politikat e tilla rrezikojnë paqen dhe bashkëjetesën në vend, në kundërshtim me perspektivën evropiane.
 
MERALE ISMAILI