Maqedoni

Disa qytete të RMV-së pa rrymë, MEPSO: Ishte problem rajonal Evropian

18.05.2025 14:14

Mëngjesin e së dielës një pjesë e madhe e vendit tonë mbeti pa energji elektrike....

Një pjesë e madhe e vendit tonë mbeti pa energji elektrike si pasojë e ndërprerjes së rrjetit të transformatorëve energjetik 400/110 kilovat. Pa rrymë dhe në errësirë mëngjesin e së dielës mbetën banorët e Kërçovës, Prilepit, Manastirit, Ohrit, Shtipit, Strumicës, Koçanit, Krushevës, Shkupit, Gjevgjelisë dhe Kumanovës. Nga kompania përgjegjëse për transmetimin e energjisë elektrike ShA “MEPSO”, konfirmojnë ndërprerjen e rrymës, duke thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e tensionet e larta në rrjetin rajonal 400 KV, respektivisht, për shkak të akumulimit të madh të energjisë elektrike në rrjetin rajonal përmes burimeve të ripërtëritshme gjatë kësaj fundjave, e që nuk shfrytëzohen në këtë periudhë të vitit. Defekti është sanuar, ndërkohë MEPSO po punon për normalizimin plotë të rrjetet elektroenergjetik.
 
“Bëhet fjalë për një problem rajonal dhe evropian me të cilin përballen pothuajse të gjithë operatorët e sistemeve të transmetimit për shkak të tranzitit dhe konsumit të ulët të energjisë elektrike gjatë orëve të natës dhe fundjavave në këtë periudhë të vitit. Që nga momenti i ndërprerjes, ekipet e ShA MEPSO reaguan menjëherë dhe rreth një orë pas ndërprerjes, furnizimi me energji elektrike në vend u normalizua.”, thuhet në komunikatën e ASh MEPSO. 
 
ShA MEPSO monitoron me kujdes situatën në terren dhe bënë koordinimin e nevojshëm të sistemeve të transmetimit në rajon me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit dhe sigurinë e përdoruesve me furnizim me energji elektrike. Ata theksojnë se në mënyrë sistematike, përmes realizimit të investimeve të reja në bashkëpunim të ngushtë me operatorët e sistemeve të transmetimit të vendeve fqinje, po kontribuojnë në forcimin e stabilitetit të sistemit, i cili, sipas tyre, ka qenë seriozisht i neglizhuar dhe jo i mirëmbajtur.
 
REXHEP QAMILI