Maqedoni
Politikë, dorëhiqet deputeti i ASh-së Sulejmani
18.05.2025 14:37
Deputeti dhe anëtari i lartë i ASH-së, Salim Sulejmani është dorëhequr nga posti i deputetit dhe funksionet partiake...

Deputeti dhe anëtari i lartë i ASH-së, Salim Sulejmani është dorëhequr nga posti i deputetit dhe funksionet partiake. Në letrën e tij publike Sulejmani thotë se vendimin e ka marrë si pasojë e zhgënjimit të tij nga politikat devijuese të ASH-së, subjekt i cili sipas tij i është larguar VLEN-it për të bashkëpunuar me BDI-në. Për të mos shkelur parimet e tij për ndryshim kundër një strukture të kalbur, duke iu referuar BDI-së, Sulejmani thotë se po tërhiqet nga politika.
“Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një Aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda.”, shkruan Sulejmani në arsyetimin e tij publik për tërheqje nga politika.
VLEN paralajmëron zhvillime të reja politike
Ndërkohë, VLEN shprehet e unifikuar dhe e pamposhtur nga përpjekjet e BDI-së për ta shpërndarë. Ata paralajmërojnë zhvillime të reja politike.
“Përpjekjet e BDI-së për të shkaktuar tërmet brenda VLEN-it përmes Taravarit kanë dështuar plotësisht. Kjo dëshmon se VLEN nuk është një koalicion i rastësishëm, por një projekt serioz politik. Në ditët dhe javët në vijim priten zhvillime të reja politike, që do ta forcojnë më tej rolin udhëheqës të VLEN-it në bllokun shqiptar.”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
BDI kritikon veprimin e VLEN-it në Qeveri
Por për integristët VLEN është faktor i parëndësishëm në Qeveri. Sipas tyre me 8 punësimet në Regjistrin Qendror, nuk ka asnjë shqiptar.
“I bëjmë thirrje Qeverisë një etnike të rikthejë mekanizmat e barazisë. Sa i përket të ashtuquajturave mbetje të VLEN-it në Qeveri, është më se e qartë se askush nuk i pyet, askush nuk u kërkon mendim për asnjë vendim institucional. Ata nuk kanë as ndikim, as autoritet.”, thonë nga BDI.
Snopçe: Problemi i VLEN-it është ASh, jo BDI
Në mesin e përplasjes VLEN – BDI, ka ndërhyrë deputeti i ASH-së Halil Snopçe. Sipas tij VLEN nuk e ka hallin me BDI-në por me partinë e tyre.
“Përderisa ASH ishte në opozitë, nuk pati kurrë një bashkim të plotë të opozitës shqiptare për të mposhtur BDI-në. Por sapo Aleanca vendosi të dalë e vetme me lista këshilltarësh, tre partitë e tjera vendosën menjëherë të bashkohen në një parti. Problemi për këto parti nuk është BDI-ja, por Aleanca për Shqiptarët.”, shkruan Snopçe në rrjetet sociale.
Deputetin e dorëhequr të zonës së pestë zgjedhore Sulejmani, nga lista zgjedhore të koalicionit VLEN pritet ta zëvendësojë deputetja Valbona Adili-Emini nga radhët e Lëvizjes Besa. Tani VLEN edhe zyrtarisht do të numërojë 10 deputetë. Me këtë lëvizje të Sulejmanit, ASH krahu i Taravarit vë në pikëpytje themelimin e grupit parlamentar me vetëm katër deputetë.
MERAL ISMAILI
