Maqedoni

Kalimi i Taravarit në opozitë, Mickoski: Arbeni ka vendosur të jetë mashë e BDI-së

18.05.2025 17:53

Mickoski sërish ka komentuar largimin e Arben Taravarit nga Qeveria dhe nga VLEN-i...

Kryeministri Hristijan Mickoski sërish ka komentuar largimin e Arben Taravarit nga Qeveria dhe nga VLEN-i. Sipas tij, Taravari ka dashur të qëndrojë në dy karrige. Të mbetet në qeveri dhe njëkohësisht të bashkëpunojë me BDI-në. Përkatësisht BDI t’a mbështesë për 5 kryetarë komunash, duke mos-kandiduar ndërsa Taravari ta ndihmojë që BDI-ja të nxjerrë më shumë këshilltarë komunal sesa VLEN-i.
 
“Paramendoni çfarë strategjie, sikur numri i këshilltarëve duhet të më bind mua se duhet ta marrë BDI-në në qeveri, e jo parimet, programi dhe qëllimet e përbashkëta. A mendojnë ata se unë do ta harrojë sesi Bujar Osmani e shiti identitetin tim maqedonas? A mendojnë se ashtu do të kalojë? Por kjo është, ka vendosur Arbeni që të jetë mashë e BDI-së dhe t’i mbajë në jetë politike të gjithë ata për të cilët personalisht ai, ka folur punët më të këqija. Me të vërtet mëkat. Por siç kanë vendosur, ashtu le të vazhdojnë. Unë nuk jam i shqetësuar, vetëm mund të jem i zhgënjyer, por kjo nuk do të ma ndryshojë besimin te njerëzit dhe në fjalën e tyre.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.