Botë

Trampi do të flasë me Putinin për paqen në Ukrainë

19.05.2025 12:06

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin...

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqen në Ukrainë, pasi liderët evropianë kërkuan që Kremlini të pranojë një armëpushim të menjëhershëm për të ndalur konfliktin më vdekjeprurës në rajon, që nga Lufta e Dytë Botërore.
 
Putini ka dërguar mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar konfrontimin më të rëndë midis Rusisë dhe Perëndimit, që nga kriza e raketave kubane e vitit 1962. Trampi, i cili thotë se dëshiron të mbahet mend si një paqebërës, ka bërë vazhdimisht thirrje për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, të cilën administrata e tij e konsideron si një luftë ndërmjetëse midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Nën presionin e Trumpit, delegatët nga vendet ndërluftuese janë takuar javën e kaluar në Stamboll për herë të parë që nga marsi 2022, pasi Putini propozoi bisedime të drejtpërdrejta dhe evropianët dhe Ukraina kërkuan një armëpushim të menjëhershëm.
 
“Shpresojmë se do të jetë një ditë produktive, do të ndodhë një armëpushim dhe kjo luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, do të përfundojë.”, ka shkruar Trampi në rrjetin e tij social “Truth Social”.
 
Të dielën, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh me dron në Ukrainë, që nga fillimi i luftës. Në qershor 2024, Putini ka thënë se Ukraina duhet të heqë dorë zyrtarisht nga ambiciet e saj për anëtarësim në NATO dhe të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të Ukrainës që Rusia pretendon.