Maqedoni

Murtezani: Ndryshimet kushtetuese të jenë kushti i fundit

19.05.2025 13:52

Ministri për Çështje Evropiane dhe njëherit kryenegociatori me BE-në, Orhan Murtezani...

Ministri për Çështje Evropiane dhe njëherit kryenegociatori me BE-në, Orhan Murtezani, u shpreh i vetëdijshëm se RMV-ja nuk mund të ndryshojë kornizën negociuese me BE-në, por ajo që mundet, kërkohet dhe insistohet, thotë ai, janë garancitë se ndryshimet kushtetuese do të jenë kushti i fundit, që do t’i kërkohet vendit tonë gjatë procesit negociues me BE-në. Kështu u shpreh Murtezani pas mbledhjes së parë të mekanizmit nacional për Agjendën reformuese. 
 
“Sa i përket planit për pritje dhe agjendën reformuese nuk kemi asnjë bllokadë dhe as nuk do të ketë. Struktura e këtyre mjeteve është bërë në atë mënyrë që të mos ndërlidhen mjetet e parashikuara me marrëdhëniet bilaterale mes vendeve anëtare. Sa i përket mesazheve të dërguara nga presidenti Koshta, mendoj se edhe ne e kemi të qartë se nuk ka mënyrë për t’iu shmangur ndryshimeve kushtetuese, por përgjegjësia jonë është që ato ndryshime të jenë kushti i fundit bilateral.”, - deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Nupnau: Reformat, prioritet i rëndësishëm
 
Tani janë përmbushur të 5 reformat fillestare të parashikuara deri në shkurt të këtij viti, duke përfshirë Ligjin e ri për Kontrollin e Brendshëm Financiar, aktet nënligjore të Ligjit për Buxhet, reformat për zgjedhjen e organeve drejtuese të kompanive shtetërore dhe zgjidhjet kadrovike në gjyqësor. Së shpejti pritet të arrijë edhe përgjigja për shfrytëzimin e 17.1 milion eurot e para të parashikuara në Planin e Rritjes. Përfaqësuesit e BE-së në Shkup vlerësojnë se transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi janë jetike për të arritur reforma dhe investime të suksesshme në kuadër të planit për rritje.
 
“Prioritetet reformuese dhe sfidat janë me rëndësi të madhe, njëjtë siç është me rëndësi edhe ndërtimi i partneritetit mes Qeverisë dhe BE-së për të pasur mekanizma të rregullta kontrolluese për monitorim, të cilët do të mundësojnë fidbek nga gjitha palat, ku do të sigurohemi se po ndodhin reformat dhe se financat po destinohen aty ku duhet edhe pse mund të ndodhë të ketë pengesa të parashikuara gjatë këtij rrugëtimi, por ato duhet të adresohen.”, - theksoi zëvendësshefi i Misionit të BE-së, Ben Nupnau. 
 
Agjenda reformuese, Kacarska: Promovimi i dialogut gjithëpërfshirës
 
Mekanizmi kombëtar konsultativ i agjendës reformuese ka për qëllim të promovojë dhe kultivojë dialogun gjithëpërfshirës dhe transparent në procesin e reformimit të shtetit drejt BE-së.
 
“Qëllimi ynë në këtë projekt në nivel nacional, përveç monitorimit, është që të formojmë një mekanizëm konsultativ kombëtar, për të mbështetur bashkëpunimin e ngushtë mes OJQ-së, odave, shoqërisë akademike, përmes së cilës do të takoheshim çdo 6 muaj së bashku me përfaqësuesit e institucioneve.”, - u shpreh drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane, Simonida Kacarska.
 
Mekanizmi kombëtar konsultativ është pjesë e projektit rajonal trevjeçar "Monitorimi i reformave dhe rritjes në Ballkanin Perëndimor", të cilin e udhëheq IPE-ja në partneritet me rrjetin "Mendo për Evropën". Është i financuar nga BE-ja, i mbështetur nga Ministria për Çështje Evropiane.
 
REXHEP QAMILI