Botë
Hiqet bllokada ushqimore në Gazë, Izraeli do të marrë nën kontroll ndihmat
19.05.2025 14:14
Për shkak të presionit ndërkombëtar dhe shqetësimeve në rritje për urinë masive në Rripin e Gazës...

Për shkak të presionit ndërkombëtar dhe shqetësimeve në rritje për urinë masive në Rripin e Gazës, Izraeli ka vendosur të rifillojë shpërndarjen e ndihmës humanitare pas më shumë se dy muaj bllokade, gjatë së cilës kanë humbur jetën qindra fëmijë nga uria. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka deklaruar se Izraeli do të marrë nën kontroll të plotë të gjithë territorin e Gazës dhe se ndihmat do të shpërndahen vetëm nga autoritetet izraelite, duke mos lejuar asnjë palë tjetër të ndërhyjë në këtë proces.
“Miqtë tanë më të ngushtë në botë – senatorët të cilët prej vitesh janë mbështetës të fortë të Izraelit – më kanë thënë: “Ne ju japim të gjithë ndihmën e nevojshme për ta përfunduar këtë luftë – armët, mbështetjen në Këshillin e Sigurimit, gjithçka për të eliminuar Hamasin. Por, një gjë nuk mund ta përballojmë: imazhet e urisë masive. Kjo është e papranueshme dhe rrezikon mbështetjen tonë.”. Për këtë arsye kemi nisur një metodë të re për shpërndarjen e ndihmave.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, Izraeli vazhdon bombardimet mbi Gazë, duke lënë të vrarë dhe plagosur dhjetëra civilë. Shtetet e Bashkuara shprehen se mbështesin Izraelin, por njëkohësisht po punojnë për një zgjidhje paqësore, që do të mundësonte ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve.
“Ne mbështesim shkatërrimin e Hamasit dhe një të ardhme për popullin e Gazës që të jetë pa Hamas dhe plot mundësi. Megjithatë, ne gjithashtu mbështesim përfundimin e konfliktit, një armëpushim. Nuk duam të shohim më shumë vuajtje. Ndërsa flas me ju, ne jemi aktivisht të angazhuar për të gjetur një mënyrë për të nxjerrë më shumë pengje përmes një mekanizmi armëpushimi.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Deklaratat vijnë në një kohë kur situata humanitare në Gazë vazhdon të jetë kritike dhe diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të balancojë presionin ndaj Izraelit me nevojën për të shmangur një përshkallëzim më të madh të konfliktit. Ndërkohë, dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në Hagë për të kërkuar që qeveria holandeze të ndërmarrë veprime kundër shkeljeve izraelite në Gazë. Ata janë veshur me rroba të kuqe, duke simbolizuar një "vijë të kuqe" dhe kanë marshuar drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku është në proces një çështje për gjenocid ndaj Izraelit. Protesta u organizua nga organizata të njohura humanitare dhe organizata të të drejtave të njeriut.
FARIJE DAUTI BAKIJU
