Maqedoni
Zgjedhja e guvernatorit, në garë janë tre kandidatë
19.05.2025 14:26
Në garë janë tre kandidatë dhe deri të enjten duhet të zgjidhet guvernatori i ri i Bankës....

Edhe pse vetëm edhe katër ditë i kanë mbetur guvernatores së deritanishme të Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska, Kuvendi akoma nuk ka pranuar asnjë propozim nga ana e presidentes së vendit. Në garë janë tre kandidatë dhe deri të enjten duhet të zgjidhet guvernatori i ri i Bankës. Sipas nenit 55 të Bankës Popullore, nëse përzgjedhja vonohet, ushtrues detyre mbetet guvernatorja aktuale.
“Do ta shfrytëzoj nenin 55 paragrafi 3 dhe gjatë këtyre ditëve do ta dorëzoj propozimin tim për guvernator të ri, ndërsa kjo vonesë vjen për faktin se kam realizuar bisedë me të gjithë kandidatët dhe për këtë qëndrim i kam njoftuar edhe institucionet, edhe kandidatët, por tani edhe opinionin. Secili që zgjidhet do të jetë një kujdestar i mirë i politikave makro-ekonomike.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Guvernatorja e deritanishme, Anita Angelovska Bezhoska, nuk deshi të komentojë se cili kandidat do të jetë i propozuar nga presidentja.
“Në përputhshmëri me rregullativat ligjore, respektivisht neni 55 paragrafi 3 është vendosur pikërisht që institucioni në raste të caktuara të mos ketë diskontinuitet. Por, në këtë fazë nuk dua të flas për propozimet.”, - u shpreh guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska Bezhoska.
Midis tre kandidatëve është edhe guvernatorja aktuale, Anita Angelovska Bezhoska, së bashku me Trajko Slaveskin dhe Zoran Stavrevskin. Mandati i saj shtatëvjeçar do të skadojë më 21 maj.
FITIM KRYEZIU
