Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 18-ën herë seanca konstituive
19.05.2025 14:48
Edhe 18 përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës....

Edhe 18 përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i 18 ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme, përsëri kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, por deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe nuk votuan, prandaj vetëm 52 deputetë votuan për dhe një kundër, prandaj kryesuesi Dehari bëri të ditur se seanca ndërpritet dhe se do të vazhdojë më 21 maj, në orën 11:00. Për dështimin e sërishëm partitë opozitare fajësuan Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne nuk kemi krizë juridike, kemi krizë politike në këtë situatë dhe zgjidhja duhet të jetë politike. Nëse kjo vazhdon, unë besoj që duhet dikush të merret edhe me një adresim në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, siç e kanë bërë në këtë rast AAK-ja me mbështetjen e deputetëve të partive të tjera për çështjen e mënyrës së votimit.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Mungesa e urgjencës është një lajm i keq për Republikën e Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për institucione, ka nevojë për veprime politike të partisë së parë.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por, nga Lëvizja Vetëvendosje fajin e shohin te partitë opozitare.
“VV-ja ka treguar që është konstruktive në të gjitha hapat që kanë pasur për qëllim zhbllokimin e Kuvendit të Republikës. Është i pakuptueshëm gjithë ky bllokim, që është duke ardhur nga opozita.”, - u shpreh Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në tejkalimin e krizës për moskonstituimin e Kuvendit ditë më parë u përfshi edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila thirri në konsultim liderët e partive politike, por pasi takimi i parë nuk dha rezultat, ajo ka paralajmëruar edhe takime të reja, të cilat pritet të mbahen ditët në vazhdim.
GYLTENE SINANI
