Maqedoni

Marrëveshja me Britaninë e Madhe, Filipçe: E mbështesim, por duam sqarime

19.05.2025 14:55

Filipçe ka deklaruar se LSDM-ja mbështet Marrëveshjen për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar...

Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, ka deklaruar se LSDM-ja mbështet Marrëveshjen për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar dhe se deputetët do ta mbështesin atë në Parlament, por ai pyeti kryeministrin Mickoski se a është e gatshme Qeveria të pranojë akomodimin e emigrantëve në vendin tonë.
 
"Ai akt, ai gjest është për t’u përshëndetur dhe ne do ta mbështesim atë marrëveshje kur të vijë në Parlament për ratifikim. Por, pas informacioneve në mediat britanike, po e pyes Qeverinë nëse është e gatshme të diskutojë akomodimin e emigrantëve në vendin tonë, pasi Shqipëria hodhi poshtë marrëveshjen me Britaninë e Madhe për të pranuar emigrantë, duke pasur parasysh se ka një marrëveshje të tillë me Italinë. E pyes Qeverinë, a janë vërtet të gatshëm të diskutojnë me Britaninë e Madhe vendosjen e emigrantëve në vendin tonë?", - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Mickoski: Përfitimet janë të mëdha
 
Por, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është shprehur se përfitimet e vendit tonë nga marrëveshja historike për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, janë të mëdha.
 
“Sa më shumë marrëveshje strategjike dhe partneritete të tilla që kemi me faktorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm botërorë, siç është Mbretëria e Bashkuar, aq më afatgjatë do të jetë stabiliteti dhe perspektiva e Maqedonisë si shtet, por edhe e qytetarëve të saj. Jam i bindur se një miqësi dhe partneritet i tillë mund të sjellë vetëm gjëra të mira për qytetarët. Në kuptim ekonomik, kjo është arsyeja e dytë, tashmë kemi përmendur se kemi një kornizë me të cilën na vihen në dispozicion rreth 6 miliardë euro ose rreth 5 miliardë funta. Bëhet fjalë për dy lloje projektesh që janë dakorduar për realizim.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Këto prononcime Mickoski i bëri gjatë vizitës në qendrën e trajnimit në Idrizovë, ku u promovua qasja e re për trajtimin e personave që kanë shkelur ligjin. 
 
FITIM KRYEZIU