Maqedoni

Gjykata Administrative anuloi zgjedhjen e gjyqtares, Dukovska

19.05.2025 15:05

Gjykata Kushtetuese do të mbetet me një gjyqtar më pak. ..

Gjykata Kushtetuese tani më numëron një gjyqtar më pak, pasi që Gjykata Administrative anuloi vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Elizabeta Dukovskës si gjyqtare kushtetuese në vitin 2023. Kryeparlamentari Afrim Gashi, të hënën informoi Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Gjyqësor duke thënë se letra e tij veç më ka arritur deri tek ata. Pas këtij vendimi, duhet të fillojë procedurë e re për përzgjedhjen e gjykatësit të ri, tha Gashi.
 
“Të premten pasdite e morëm vendimin e Gjykatës Administrative, ndërsa menjëherë sot njoftuam Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Gjyqësor, sepse ky anëtar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh në Kuvend, por me propozim të Këshillit të Gjykatësve. Tani do të shohim se si do të reagojnë këto dy institucione, por ajo që ishte nën kompetencat e mia e përmbylla dhe mendoj se procesi tani më tutje do të duhet të vijojë ashtu siç është parashikuar në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi. 
 
Numri “një” i drejtësisë, Igor Filkov, nuk dëshiron të komentojë vendimin e Gjykatës Administrative, por është në të njëjtën vijë me Gashin, Këshilli Gjyqësor të ripërsërisë procedurën për gjyqtar të ri dhe t’i dorëzojë Kuvendit propozimin final.
 
“M.D. nuk ka kompetenca t’i rishqyrtojë vendimet e gjykatave, ky është element i pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kompetencat për zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative i ka vetëm Kuvendi, në rastin konkret Këshilli Gjyqësor. Detyrë e Këshillit Gjyqësor është të ripërsërisë procedurën për përzgjedhjen e gjyqtarit të rinj. T’i merr parasysh rekomandimet dhe të dorëzojë propozim të ri deri tek Kuvendi.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov. 
 
Dukoska tashmë dy vite punonte si gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese, respektivisht ajo ishte gjykatëse raportuese në lëndën ku kontestohen pjesë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa shfuqizimi i zgjedhjes së saj  po ndodh vetëm një muaj para seancës përgatitore.
 
REXHEP QAMILI