Maqedoni

Përplasjet politike thellohen, Mickoski sulmon Taravarin, BDI e akuzon për nacionalizëm

19.05.2025 15:15

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar sërish largimin e Arben Taravarit...

Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar sërish largimin e Arben Taravarit, duke thënë se ky i fundit ka zgjedhur t’i bashkohet, siç e quajti ai, bllokut të krimit dhe të së kaluarës, dhe jo bllokut të së ardhmes dhe prosperitetit.

Mickoski njoftoi se gjatë kësaj jave do të takohet me drejtuesit e koalicionit VLEN për të diskutuar të ardhmen e Qeverisë.

“Një gjë është e qartë, më pak se pesë muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale po diferencohen dy blloqe. Njëri është blloku i së kaluarës, blloku i krimit, korrupsionit, turpit, plaçkitjes, një bllok që bashkëpunoi ngushtë me banda kriminale. Herë pas here bënte sport nëpër zyrat e tij, luante futboll të vogël, basketboll. Ky është njëri bllok, të cilit për fat të keq Arben Taravari vendosi t’i bashkohet. Dhe blloku tjetër është ai i qytetarëve të ndershëm, blloku i Maqedonisë që dëshiron të shohë një vend të pasur e të suksesshëm.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër deklaratave të Mickoskit i është përgjigjur Bashkimi Demokratik për Integrim, duke e akuzuar Mickoskin për nacionalizëm dhe përçarje ndëretnike.  “Qeveria e Mickoskit vazhdon të ngasë të njëjtën valë nacionalizmi me të cilin garoi në zgjedhje dhe tashmë një vit të tërë ofron vetëm propagandë, përçarje, poshtërim dhe dështim. Në vend që të investojnë në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike, si shtylla kyçe e stabilitetit afatgjatë të vendit, Mickoski dhe rrethi i tij i ngushtë intensifikojnë retorikën antishqiptare.”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Ndërsa Taravari është kundërpërgjigjur duke thënë se dinjiteti i shqiptarëve nuk shitet për një post ministri dhe se rruga e ndryshimeve nuk kalon përmes kërcënimeve ndaj shqiptarëve me burg.

“Rruga e Arbën Xhaferit nuk kalon nga Qeveria që të quan 20%.  Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke kërcënuar me burgje shqiptarët! Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit për të shkuar ambasador në Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri. Gjithsesi...Shihemi në Tetor!”, ka shkruar Taravari në rrjetet sociale.

Ky reagim i Taravarit madje vjen edhe pas prononcimit të zëvendëskryeministrit, Arben Fetai, i cili është distancuar nga Taravari. Një valë largimesh nga krahu i Taravarit në Aleancën për Shqiptarët e ka paralajmëruar përfaqësuesi i VLEN-i, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.

“Besoj se të gjitha zhvillimet brenda Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Taravari janë një tregues se vendosmëria e strukturave dhe gatishmëria për të mos përfunduar në përqafimin e Ali Ahmetit është shumë më e madhe sesa llogaritjet e Taravarit. Sipas informatave tona jozyrtare, ky trend do të vazhdojë,  revolta mes përkrahësve, simpatizantëve dhe funksionarëve atje është shumë e madhe. Prandaj, të presim disa ditë, mendoj se ky trend do të thellohet.”, - theksoi Orhan Murtezani nga VLEN-i.

VLEN-i paralajmëron “tërmet politik”

Nga VLEN-i dorëheqjen e deputetit Salim Sulejmani e vlerësojnë si dëshmi e pakënaqësisë brenda ASh-së. Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, komentoi se Qeveria po shpërbëhet vetëm një vit pas formimit dhe njoftoi një takim të afërt me Taravarin për të diskutuar zhvillimet politike.

“Taravari ishte një faktor kyç nga blloku shqiptar që iu bashkua kësaj Qeverie. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat në aspektin e koalicionit dhe lëvizjet brenda partisë Aleanca për Shqiptarët. Takimin me Arben Taravarin e shtymë për këtë javë, kështu që këto ditë do të takohem me të.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Ndërkohë, kanë nisur dorëheqjet nga postet qeveritare, mes tyre edhe ajo e zëvendësministres së Mbrojtjes, Elfete Ismaili, nga krahu i Taravarit në ASh dhe zëvendësministrit të Bujqësisë, Flakron Bexheti. (Armend Murseli, TVM2)