Maqedoni

Tragjedia e Koçanit, edhe 11 pacientë ndodhen jashtë vendit

19.05.2025 16:16

Vetëm njëmbëdhjetë pacientë nga të lënduarit në diskotekën "Puls" po vazhdojnë trajtimin në spitalet jashtë vendit...

Vetëm njëmbëdhjetë pacientë nga të lënduarit në diskotekën "Puls" po vazhdojnë trajtimin në spitalet jashtë vendit, ndërsa tetë të tjerë po marrin kujdes mjekësor në spitalet brenda vendit. Specialistë mjekësorë nga klinikat e Shkupit do të udhëtojnë drejt Koçanit për të vlerësuar gjendjen e të lënduarve. Më pas, do të ftohen edhe ekipe mjekësore nga Izraeli për të kryer analiza të detajuara. Autoritetet shëndetësore theksojnë se pacientët janë mbikëqyrur vazhdimisht, ndërsa ekipe nga Klinika e Kirurgjisë Plastike kanë qenë të pranishme për kontrolle të vazhdueshme.
 
“Ne kemi edhe qendra të tjera të cilat janë të përgatitura për t'u përgjigjur nevojave të pacientëve. Kemi të gatshme një pjesë të spitalit “8 Shtatori” dhe Qendrën Klinike. Ka plan për rikonstruim dhe rinovim të Spitalit të Përgjithshëm. Kemi folur më parë, kemi rënë dakord dhe sigurisht që ka një plan që të kryhet rikonstruimi.”, - deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andonovski.
 
“Do ta thërrasim ekipin nga Izraeli, i cili ishte në fillim të tragjedisë së Koçanit, do t’i thërrasim që të japin mendimin e tyre për kujdes të mëtejshëm për këto pacientë. Apeloj të gjithë ata , të cilët për çfarëdo arsye kanë frikë apo nuk ndjejnë se mund të marrin trajtim spitalor, të mbledhin forcë dhe t'u besojnë mjekëve në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.”, - theksoi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.
 
Drejtoresha e Klinikës për Kirurgji Plastike, Jasmina Gjerogjievska Pavlovska, thotë se pacientët që kanë djegie të shkallës së parë, pavarësisht se kanë dëmtime të mëdha në lëkurë, janë në gjendje stabile dhe se mund të lajmërohen në çdo kohë në spital.
 
“Pacientët i kanë numrat e ekipeve tona që punojmë, pra të të gjithë  mjekëve tanë dhe mund t’i kërkojnë në çdo moment kur të kenë nevojë për ndonjë pyetje apo kontroll të trajtimit të përshtatshëm.”, - u shpreh drejtoresha e Klinikës për Kirurgji Plastike, Jasmina Gjeorgjievska Pavlovska. 
 
Nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan humbën jetën 61 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën. Kjo është fatkeqësia më e madhe që nga shpallja e pavarësisë së shtetit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit ende vazhdojnë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU