Botë
Tramp: Bisedimet Rusi - Ukrainë në Vatikan
20.05.2025 12:12
Presidenti i ShBA-së, Donald Truamp, e ka konsideruar Vatikanin vendin më të mirë që Rusia dhe Ukraina të zhvillonin bisedime për armëpushim...

Presidenti i ShBA-së, Donald Truamp, e ka konsideruar Vatikanin vendin më të mirë që Rusia dhe Ukraina të zhvillonin bisedime për armëpushim, duke thënë se kjo do t’i shtonte rëndësi procedurave të mëtejshme.
“Mendoj se do të ishte shumë mirë ta kishim në Vatikan dhe ndoshta do të kishte një rëndësi shtesë. Kjo mund të lehtësonte disi zemërimin mes palëve. Pra, mbajtja e bisedimeve në Vatikan, në Romë, do të ishte një ide shumë e shkëlqyer.”, tha presidenti, Donald Tramp.
Gjatë bisedës telefonike, presidenti rus, Vladimir Putin, refuzoi të ofrojë një afat kohor për bisedimet e paqes, pavarësisht se Donald Trampi tha se negociatat midis Kievit dhe Moskës do të fillonin “menjëherë”. Procesi që të dy vendet të zhvillojnë një tekst të unifikuar të një memorandumi paqeje dhe armëpushimi do të jetë kompleks, sipas Kremlinit.
Presidenti Volodimir Zelenski, nga ana tjetër u shpreh se Kievi dhe partnerët e tij po shqyrtonin organizimin e një takimi të nivelit të lartë midis Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara, vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë, si pjesë e një përpjekjeje për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë.
Duke folur me gazetarët në Kiev pas dy telefonatave me presidentin e ShBA-së, Donald Tramp, udhëheqësi ukrainas tha se shpresonte që takimi të ndodhte sa më shpejt të ishte e mundur dhe se ai mund të organizohej nga Turqia, Vatikani ose Zvicra.
Udhëheqësit evropianë dhe Ukraina i kanë kërkuar Rusisë që të bjerë dakord për një armëpushim menjëherë dhe Trampi është përqendruar që Putini të angazhohet për një armëpushim 30-ditor, por kreu i Kremlinit i ka rezistuar kësaj, duke këmbëngulur që së pari të përmbushen kushtet.
