Botë
Pasi hiqet bllokada ushqimore në Gazë, Izraeli pengon hyrjen e ndihmave
20.05.2025 13:19
Një ditë pas heqjes së bllokadës ushqimore, ushtria izraelite ka filluar seri bombardimesh intensive në të gjithë Rripin e Gazës...

Një ditë pas heqjes së bllokadës ushqimore, ushtria izraelite ka filluar seri bombardimesh intensive në të gjithë Rripin e Gazës. Janë shënjestruar shtëpi banimi dhe strehimoret e palestinezëve të zhvendosur, ku janë vrarë 60 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë. Shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar mbi të ardhmen e Gazës vazhdojnë.
“Ajo që shoh për momentin është një vazhdim i shkatërrimit, i vdekjeve dhe vrasjeve të palestinezëve në Gazë dhe frika ime është se mund të arrijmë në një pikë ku Gaza mund të mos jetë më një tokë për palestinezët që të jetojnë.”, - deklaroi përfaqësuesi i OKB-së për refugjatët, Filipe Lazarini.
Për shkak të presionit ndërkombëtar dhe shqetësimeve në rritje për urinë masive në Rripin e Gazës, Izraeli rifilloi shpërndarjen e ndihmës humanitare pas gati tre muaj bllokade.
“Sigurisht vendimi i Izraelit për të lejuar hyrjen e një pjese të ndihmës është një pikë uji në oqean. Është i mirëpritur, por nuk është i mjaftueshëm. Ka mijëra kamionë pas kufijve që presin. Janë paratë evropiane që kanë financuar këtë ndihmë humanitare dhe ajo duhet të arrijë tek njerëzit, sepse situata është jashtëzakonisht e rëndë.”, - theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
“Koordinatori i Ndihmës Emergjente u kërkoi autoriteteve izraelite të hapin të paktën dy kalime në Gazë, një në veri dhe një në jug. Ai gjithashtu i nxiti ata të thjeshtojnë dhe përshpejtojnë procedurat; të heqin çdo kuotë; të heqin pengesat e aksesit brenda Gazës dhe të mos kryejnë sulme në zonat dhe oraret e dërgesave dhe të na lejojnë të mbulojmë një gamë të tërë të nevojave të mëdha të popullsisë palestineze në Gazë.”, - u shpreh zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm – OKB, Stefan Dujarriq.
Bllokada ushqimore u vendos më 2 mars, duke ndërprerë furnizimet jetike dhe duke shkaktuar vdekjen e ngadaltë të shumë fëmijëve palestinezë, për shkak të mungesës së ushqimit.
ABIBE QAILI
