Maqedoni
Zgjedhja e guvernatorit, Davkova nuk e tregon emrin e guvernatorit të ri
20.05.2025 13:55
Davkova e din emrin e ri të kandidatit për guvernator, por nuk do ta tregojë deri të mërkurën....

Presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova, e din emrin e ri të kandidatit për guvernator, por nuk do ta tregojë deri të mërkurën. Ajo inkurajon gjithë debatin që është bërë në lidhje me emrat e përfolura për këtë pozicion dhe premton se më i miri do të ngadhënjejë.
“Jo, nuk kam marr vendim, por nuk e tregoj emrin e tij para gazetarëve. Nuk do të më hidhëroheni. Por, mendoj se tani më e di. Me të drejtë u krijua debat mes jush dhe kjo është ajo që duhet të praktikohet për çdo emërim. Të uleni me të gjithë njerëzit që përmenden dhe të bisedoni. Të pyesin secilin se ka mendon për tjetrin ose çka mendon ai se mund të bëjë, çfarë nuk është bërë dhe çka është ajo për të cilën mendon se nuk është në rregull.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Guvernatorja aktuale e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska, e cila garon për mandat të dytë, ditë më herët u shpreh e përmbajtur. Tha se nuk dëshiron të komentojë se cili do të jetë propozimi i presidentes. Për guvernator të ri të Bankës Popullore në garë janë tre kandidatë, respektivisht guvernatorja aktuale, Anita Angelovska Bezhoska, Trajko Slaveski dhe Zoran Stavrevski. Mandati i Bezhoskës skadon më 21 maj dhe i njëjti ishte shtatëvjeçar. Guvernatorin e emëron Kuvendi, me propozim të presidentit, derisa zëvëndësguvernatorët i emëron Kuvendi me propozim të guvernatorit të ri. Sipas nenit 55 të Bankës Popullore, nëse përzgjedhja vonohet, ushtrues detyre mbetet guvernatorja aktuale.
REXHEP QAMILI
