Maqedoni

Tetovë, shënohet dita e zjarrfikësve

20.05.2025 14:11

Zjarrfikësit e Tetovës në sheshin “Iliria” kanë festuar ditën e zjarrfikësve....

Me aktivitete të ndryshme, simulime e ndërhyrje në raste zjarri, në raste aksidentesh, zjarrfikësit e Tetovës në sheshin “Iliria” kanë festuar ditën e zjarrfikësve. Ata vazhdojnë të mbijetojnë falë donatorëve dhe mërgatës shqiptare, që sipas të parit të Tetovës, Bilall Kasami, pa ndihmën e donatorëve, kjo njësi e zjarrfikësve nuk do të ishte aty ku është sot.
 
“Zjarrfikësit prezantuan aftësitë e tyre, kapacitet e tyre për të mbrojtur jetën dhe pronat e qytetarëve. Kjo tregon se ne përpiqemi që ta bëjmë NJTKZ-Tetovën më të përgatitur në vend, edhe në kuadër të aspektit profesional edhe në aspektin e pajisjeve që ata i kanë. Sot NJTKZ në Tetovë është shumë më mirë se dje. Dua të falënderoj në aspekt të veçantë për bashkëpunimin, partneritetin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht ato që janë permanent deri më tani që vinë nga Austria dhe Mbretëria e Bashkuar. Pa përkrahjen e tyre kjo njësi nuk do ishte aty ku është sot.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Komandanti i NJTKZ-Tetovë, Avni Ameti, tha se bashkë më komunën e Tetovës do të formojnë edhe njësinë e vullnetarëve të zjarrfikësve në të gjitha fshatrat e Pollogut.
 
“Bashkërisht do të formojmë edhe vullnetarë që do të përfshihen në të gjitha fshatrat e Pollogut. Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm, ku donator dihet që e kemi ambasadën e Austrisë dhe miqve tanë. Ju bëj thirrje të gjithë të rinjve që janë të interesuar të jenë vullnetarë të kësaj njësie të kontaktojnë shoqatën dhe të aktivizohen. Deri më tani kemi nga 15 anëtarë vullnetarë, të cilët shumica janë në qytet.”, - theksoi komandanti i NJTKZ – Tetovë, Avni Ameti.
 
Nga ana tjetër, zjarrfikësit e Tetovës mbulojnë territorin më të madh në vendin tonë. Edhe përkundër premtimeve të shumta se edhe në komunat rurale do të formohen njësi të zjarrfikësve, i vetmi hap para është që në komunën e Zhelinës ka kujdestar të zjarrfikësve, por në komunat tjera rurale premtimi mbetet në letër.
 
VISAR SADIKI