Maqedoni
Kuvendi konstaton dorëheqjet e Taravarit, Bexhetit dhe Ismailit
20.05.2025 14:26
Edhe pse sipas rregullores ata kishin mundësi të arsyetojnë dorëheqjet e tyre, nuk kërkuan ta bëjnë këtë....

Kuvendi ka konstatuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, si dhe të zëvendësministrave në Ministrinë e Bujqësisë, Flakron Bexheti dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Elfet Ismaili. Edhe pse sipas rregullores ata kishin mundësi të arsyetojnë dorëheqjet e tyre, nuk kërkuan ta bëjnë këtë.
“Ju informoj se ministri që udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë, zoti Arben Taravari ka dorëzuar dorëheqjen. Deri në fillimin e kësaj seance, ministri i Shëndetësisë, zoti Arben Taravari, nuk ka njoftuar se dëshiron ta arsyetojë dorëheqjen e tij në këtë seancë të Kuvendit. Prandaj, konstatoj se në përputhje me nenin 246 të Rregullores, zoti Arben Taravari e përfundon mandatin si ministër që udhëheq Ministrinë e Shëndetësisë.”, - deklaroi nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska.
VLEN-i bën riorganizimin e grupit parlamentar, Qoku: Jemi grupi parlamentar shqiptar më i madh në Kuvend
Me shkëputjen e ASh-së së Taravarit nga koalicioni VLEN dhe Qeveria, VLEN-i po bën riorganizimin brenda grupit parlamentar. Koordinatori, Bekim Qoku, tha se për momentin grupin parlamentar të VLEN-it e përbëjnë nëntë deputetë dhe se i dhjeti do t’u bashkohet pas finalizimit të dorëheqjes së Salim Sulejmanit nga grupi parlamentar i ASh-së së Taravarit. Sipas Qokut, me këtë janë grupi parlamentar shqiptar më i madh në Kuvend dhe se në ditët në vijim do t’u bashkohen edhe më shumë deputetë.
“Jam këtu që t’ju informojë edhe zyrtarisht se grupi parlamentar VLEN i numëron 9 deputetë, ndërsa në ditët në vijim besoj se do të na shtohet edhe deputeti i 10-të dhe më pas edhe i 11-ti dhe pse jo edhe i 14-ti dhe kështu praktikisht, me 10 deputetë jemi grupi më i madh parlamentar shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku.
Qoku tha se janë në bisedime me të gjithë deputetët, veçanërisht me ata nga krahu i Taravarit. U bëri apel që të rikthehen në grup, në mënyrë që ta çojnë deri në fund mandatin që e kanë marrë nga qytetarët. Deputetët që janë pjesë e grupit parlamentar të VLEN-it, përveç Qokut, janë: Afrim Gashi, Adnan Azizi, Bekim Sali, Merita Koxhaxhiku, Kaltrina Beqiri, Imerlie Saliu, Saranda Imeri dhe Feride Hadhiu.
ARMEND MURSELI
