Maqedoni
Gjykata Kushtetuese rrëzon nenet kontestuese të Kodit Zgjedhor
20.05.2025 15:14
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet 17 dhe 18 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Zgjedhor...

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet 17 dhe 18 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Zgjedhor, të miratuar në marsin e vitit të kaluar, me të cilat listat dhe kandidatët e pavarur, veçanërisht në komunat më të mëdha, u përballën me rritje të pragut të nevojshëm të nënshkrimeve të votuesve për të marrë pjesë në zgjedhje. Gjyqtarët kushtetuese votuan sipas mendimit të gjyqtarit referues, i cili kishte shprehur dyshime se këto ndryshime ligjore cenonin vlerat themelore të Kushtetutës, sigurinë juridike, parimin e sundimit të ligjit dhe pluralizmin politik, që është një vlerë themelore e rendit kushtetues të shtetit. Sipas kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ekzistojnë dyshime për shkeljen materiale dhe formale të kushtetutshmërisë.
“Në aspektin e materialit bëhet fjalë për shkelje të pluralizmit politik, i cili përfaqëson një vlerë themelore të rendit tonë kushtetues. Është e njohur se pluralizmi politik sjell ndryshime pozitive për shtetin, që do të thotë se shteti duhet të mundësojë shprehjen efektive, në kushte të barabarta dhe të drejta, të mendimit politik nga kushdo, jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga qytetarët dhe grupet e interesit. Të sigurojë kushte të barabarta dhe të drejta për konkurrencë demokratike dhe politike, pasi shkelet edhe e drejta pasive e qytetarëve. Gjithashtu shkelen të drejtat e votës së qytetarëve. Kjo ishte në aspekt material, ndërsa për sa i përket formalitetit, gjykata jonë vlerësoi se: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë teknike, por më tepër ndryshime thelbësore në ligjin zgjedhor.”, - deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Sipas këtyre ndryshimeve, numri i nënshkrimeve të nevojshme nga qytetarët u ndryshua nga minimumi prej 1.000 nënshkrimesh në 1% të numrit të përgjithshëm të votuesve, duke e bërë thuajse të pamundur kandidimin e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet parlamentare (duheshin mbi 3.000 nënshkrime për një kandidaturë të pavarur) dhe në zgjedhjet për Qytetin e Shkupit (minimumi 4.600 nënshkrime – rreth 4.5 herë më shumë se më parë). Këto dispozita ligjore, për të cilat Gjykata Kushtetuese hapi procedurë shqyrtimi, parashihnin që kandidatët e pavarur dhe listat e tyre të mund të përfshiheshin në fletën e votimit vetëm nëse siguronin nënshkrime nga 1% e votuesve të regjistruar në njësinë përkatëse zgjedhore në rastin e zgjedhjeve parlamentare ose në komunë për zgjedhjet lokale.
FARIJE DAUTI BAKIJU
