Maqedoni
Forumi për diplomaci kulturore, Mucunski: Kultura, hapësirë për bashkëjetesë dhe respekt
20.05.2025 15:48
Diplomacia kulturore nuk është vetëm mjet për afirmimin e trashëgimisë kulturore kombëtare...

Diplomacia kulturore nuk është vetëm mjet për afirmimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, por edhe mjet i rëndësishëm për ndërtimin e “urave” të bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë së mirë, e veçanërisht në kohën e sfidave globale. Kështu u shpreh shefi i diplomacisë së jashtme, Timço Mucunski, gjatë forumit të tretë “Diplomaci Kulturore".
“Në kohëra kur dikush e sheh kulturën si diçka që mund të shfrytëzohet për qëllime gjeopolitike, ne e afirmojmë atë si hapësirë për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë. Ideja evropiane, pjesë e së cilës jemi, është pikërisht ajo, ideja për një të ardhme të përbashkët e ndërtuar mbi diversitetin kulturor dhe bashkëpunimin.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski.
Ivanov: E ardhmja mbi parimin e dinjitetit njerëzor
Politikë pa kulturë është një kahje e humbur, vlerësoi ish-presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, i cili e organizoi këtë forum. Ai thekson nevojën imediate të përforcimit të diplomacisë kulturore në kohë kur bota përballet me luftëra. Edhe ish-presidenti i Çekisë, Vaklav Klaus, ndan të njëjtin qëndrim për diplomaci dhe miqësi të intensifikuar.
“Jemi të detyruar t’i hapim, jo vetëm sytë, por edhe ndërgjegjen. Sot nuk jemi këtu vetëm si politikanë, por si diplomatë, shkencëtarë dhe artistë, por jemi të ftuar si njerëz që besojmë se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi parimet e dinjitetit njerëzor.”, - deklaroi ish-presidenti i RMV-së, Gjorgje Ivanov.
“Gjatë jetës dhe veprimit tim politik, emri i vendit tuaj disa herë është ndryshuar dhe kjo nuk është e pazakontë në Evropën Qendrore dhe Lindore, por për mua ka qenë dhe do të mbetet Maqedonia.”, - theksoi ish-presidenti i Çekisë, Vaklav Klaus.
Në kuadër të Forumit të tretë njëherit u nënshkrua edhe memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë dhe qendrës ndërkombëtare “Aleanca e civilizimeve”, i mbështetur nga ish-presidenti, Ivanov.
REXHEP QAMILI
