Marrëveshja me Qeverinë britanike, të enjten do të nënshkruhet në Londër
Qeveria miratoi marrëveshjen me Qeverinë britanike...

Qeveria miratoi marrëveshjen me Qeverinë britanike për një partneritet strategjik. Të enjten, zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski, do të nënshkruajë marrëveshjen me autoritetet britanike në Londër, e cila do t'i vërë në dispozicion vendit gjashtë miliardë euro për projekte investimi.
“Në seancën e sotme të Qeverisë është autorizuar nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, të udhëtojë në Londër dhe ta nënshkruajë marrëveshjen. Me këtë fillon projekti për realizimin e projekteve nga marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar. Me këtë kemi në dispozicion 5 miliardë funta britanike apo rreth 6 miliardë euro për projekte strategjike, ku parashihet edhe ndërtimi i linjës hekurudhore në kuadër të korridorit 10, i cili do të lidhë pikën kufitare Tabanovc me atë të Gjevgjelisë, ku parashihet modernizim plotësisht të linjës aktuale dhe ndërtim të një linje paralele.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Qëllimi i marrëveshjes është që të arrihet partneritet për ndihmë në realizimin e disa projekteve në sektorët e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës, transformimit digjital dhe disa sektorë tjerë kritikë, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
“Ajo që është shumë me rëndësi është fakti se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konfirmon interesin për financim të eksportit, me çka do të vendosë në funksion 5 miliardë funte për projekte në RMV. Kemi marrë edhe ftesë zyrtare që kjo marrëveshje të nënshkruhet ditën e enjte dhe më ka autorizuar që unë ta nënshkruaj këtë marrëveshje. Pjesë e delegacionit do të jetë edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti; ministrja e MASh-it, Vesna Janevska dhe disa funksionarë të tjerë.”, - theksoi nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
Me këtë marrëveshje, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, për partneritet strategjik, RMV-ja ka në dispozicion rreth 6 miliardë euro për projekte kapitale, ku përfshihet linja hekurudhore Tabanovcë – Gjevgjeli, pastaj parashihet mbarimi i projektit për Klinikën në Shtip, po ashtu do të bëhet rikonstruimi i Klinikës në Tetovë dhe ndërtimi i Klinikës në Kërçovë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
