Maqedoni
Gara për guvernator, Siljanovska përzgjedh kandidatin
21.05.2025 14:31
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, vendosi se kë të propozojë për guvernator të ri të Bankës Popullore...

Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, vendosi se kë të propozojë për guvernator të ri të Bankës Popullore. Ai është një nga kandidatët e përfolur në opinion, por emrin e tij nuk do ta ndajë me opinionin, derisa paraprakisht nuk ia dorëzon zyrtarisht Kuvendit. Kështu u shpreh ajo pas përfundimit të forumit të tretë për diplomaci kulturore.
“Kuptohet se kanë vendosur, por ju thash se asnjëherë nuk tregohet emri i kandidatit të propozuar së pari në opinion, por i dorëzohet Kuvendit, sepse ai vendos. Sot, para se të nisem për vizitë zyrtare në Itali, do ta finalizoj këtë dhe do t’ia dërgojmë Kuvendit.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Siljanovska: Përkatësia politike nuk i penalizon
Në garë për vendin e parë të Bankës Popullore është guvernatorja aktuale, Anita Angelovska Bezhoska; profesori i Fakultetit Ekonomik, Trajko Sllaveski, dhe ish-ministri i financave, Zoran Stavrevski. Për dy të fundit në opinion është hapur dilema nëse veprimtaria e tyre politike penalizon kandidaturat e tyre ose është në kundërshtim me ligjin. Siljanovska qetëson. Të tre janë cilësorë, ndërsa ligji aktual detyron guvernatorin e ri pas marrjes së funksionit të distancohet nga politika dhe të ushtrojë funksionin me profesionalizëm. Nuk i penalizon ata vetëm se në të kaluarën janë marrë me politikë, tha ajo.
“Ligji dhe nenet nënligjore tregojnë që derisa ushtronin funksionin duhet ta dini se funksioni është inkompatibile me anëtarësimin partiak. Ligji nuk thotë nëse ndonjëherë më herët keni qenë nëpër pozita partiake. Ju kujtoj se ne kemi pasur guvernator të mrekullueshëm, Petar Goshevin, i cili ka qenë kryetar i partisë. Nuk ka pasur problem, puna është që derisa ushtroni funksionin të harroni për ndikime partiake dhe të udhëhiqeni në përputhje të sfidave profesionale. Të gjithë kandidatët të përfolur janë cilësorë.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Mickoski: Ende nuk e di emrin
I pari që do të mësojë emrin e kandidatit të ri për guvernator është kryeministri, Hristijan Mickoski. Për të tre kandidatët, Mickoski veç më ka mendim të krijuar personal, ndërsa sa i përket epilogut përfundimtar, ai nuk ka dyshime se cilido që do të propozohet dhe zgjidhet, guvernatori i ri do të punojë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe zhvillimeve pozitive ekonomike në vend.
“Ende nuk e di emrin. Unë sot do të zhvilloj takim me presidenten Siljanovska dhe supozoj se do ta mësoj. I di emrat e kandidatëve të cilët zhvilluan takim me presidenten dhe për të gjithë ata kam mendim personal.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Mandati shtatëvjeçar i Bezhoskës zyrtarisht skadon më 21 maj. Guvernatorin e emëron Kuvendi, me propozim të presidentit, derisa zëvëndësguvernatorët i emëron Kuvendi me propozim të guvernatorit të ri. Sipas nenit 55 të Bankës Popullore, nëse përzgjedhja vonohet, ushtrues detyre mbetet guvernatorja aktuale.
REXHEP QAMILI
