Maqedoni

Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, LSDM kërkon të jepen detaje

21.05.2025 15:20

Marrëveshja për partneritet strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar konsiderohet mister në sytë e opozitës...

Marrëveshja për partneritet strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar konsiderohet mister në sytë e opozitës. Socialdemokratët kërkojnë nga Qeveria që të japë më shumë detaje rreth huamarrjes në vlerë prej 6 miliardë euro, për sa vite do të kthehet kjo kredi dhe sa do t’i kushtojë qytetarët. Ndërkohë, ata insistojnë nëse Maqedonia në korniza të këtij bashkëpunimi ka lënë derën hapur për të pranuar emigrantë.
 
“Po pyesim Qeverinë nëse jeni të gatshëm që në të ardhmen të pranoni emigrantë në një zonë akomodimi. Marrëveshja a lë hapësirë se për këtë mund të bisedohet në një të ardhme të afërt? A do të mund që shpejtë dhe qartë të konfirmoni se as tani, por as në të ardhmen se Maqedonia nuk do të bisedojë për ndonjë angazhim politik?”, - deklaroi Martin Kostovski nga LSDM.
 
Mickoski: Do të jemi transparent deri në fund
 
Kryeministri Mickoski çështjen e strehimit të emigrantëve e quan si të shpikur nga hiçi, ndërkaq thotë se shpenzimi i parave do të jetë transparent.
 
“Ne në Kuvend nuk do të sjellim ligje në formë kontrabanduese, nuk do të klasifikojmë dokumentet, përkundrazi, opinioni do ta ketë të qartë se çfarë do të nënshkruajmë me çfarë kushtesh dhe cilat janë çmimet me të cilat do të ndërtohet, cilat do të jenë kompanitë. Nuk kemi qëllim që të fshehim asnjë fije informacioni.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Me aktin e publikimit të bashkëpunimit Maqedoni – Mbretëri e Bashkuar u tha se paratë midis tjerash do të shfrytëzohen për investime në infrastrukturë, ndërtimin e rrugës hekurudhore kargo, moderne dhe të shpejtë nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, si dhe do të përfundojë projekti për spitalin klinik në Shtip bashkë me ndërtesën e Fakultetit të ri të Mjekësisë dhe konviktit studentor. Me paratë do të ndërtohet spitali në Kërçovë bashkë me Shtëpinë e Shëndetit, si dhe do të rikonstruohet spitali klinik në Tetovë. Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë i Ballkanit, që do të firmosë bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar. Akti i nënshkrimit do të zhvillohet nesër në Londër. Delegacioni i vendit do të kryesohet nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikollovski.
 
MERAL ISMAILI