Maqedoni

Bastisje në pesë lokacione në Shkup, pjesë e hetimeve, grupi “Bellanoca - Baron”

21.05.2025 15:35

Janë bastisur pesë lokacione në Shkup, me ç’rast janë arrestuar katër persona...

Janë bastisur pesë lokacione në Shkup, me ç’rast janë arrestuar katër persona, bëjnë të ditur nga Prokuroria Themelore Publike. Aksioni është pjesë e hetimeve në rastin e koduar “Bunker”, që lidhet me aktivitetet e dyshuara kriminale të grupit “Bellanoca - Baron”.
 
“Prokurori publik ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër të arrestuarve, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “Shoqërim kriminale” dhe “Vrasje”, ndërsa njëri nga të dyshuarit akuzohet edhe për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve.”, thonë nga Prokuroria.
 
Nga atje sqarojnë se të arrestuarit dyshohen për vrasjen më 26 maj të vitit 2024 tek e ashtuquajtura “Rruga e Plastikave”, ku viktimë e gjuajtjeve me armë ishte A.I. 
 
“Në maj të vitit 2024, para një objekti në të ashtuquajturën “Rruga e Plastikave”, dy të dyshuar kanë kryer vrasjen e një personi, dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë qëlluar në një automjet të parkuar aty pranë, duke plagosur persona të tjerë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë.”, thonë nga Prokuroria.
 
Të arrestuarit gjithashtu dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e O.B., i cili u vra më 15 korrik të vitit 2023 në Hanioti të Greqisë.
 
“Tre nga të dyshuarit, gjatë muajit korrik 2023, në territorin e Maqedonisë dhe Greqisë, të nxitur dhe me urdhër të një organizatori të dyshuar më parë të grupit, kanë ndërmarrë veprime për zbulimin e vendndodhjes së të dëmtuarit dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës është privuar nga jeta një anëtar i grupit të organizuar kriminal kundërshtar “Gërçec” në Greqi.”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike. 
 
BELINDA KOKA ADEMI