Maqedoni
Parku “Ukraina” në Çair, u vendos skulptura “Kujtim i hidhur i fëmijërisë”
21.05.2025 15:47
Në parkun “Ukraina” në komunën e Çairit u vendos skulptura përkujtimore “Kujtim i hidhur i fëmijërisë”...

Në parkun “Ukraina” në komunën e Çairit u vendos skulptura përkujtimore “Kujtim i hidhur i fëmijërisë” nga skulptori ukrainas, Petro Drozdovski, një akt simbolik në përkujtim të tragjedisë së Holodomorit në Ukrainë, që mori miliona jetë të pafajshme, shumë prej tyre fëmijë. Ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir, theksoi domethënien e thellë të këtij përkujtimi duke falënderuar padyshim edhe kreun e Çairit.
“Për ukrainasit, kjo nuk është thjesht një figurë metalike. Ky monument ka për ne një domethënie të shenjtë. Ai është një kujtim dhe një nderim për fëmijët dhe të moshuarit që u shuan nga uria në Ukrainë, për shkak të një politike të qëllimshme nga Kremlini.”, - deklaroi ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir.
Edhe Ganiu tha se ky akt simbolik është dëshmi e përkushtimit të komunës për promovimin e paqes, kujtesës historike dhe vlerave humane.
“Vendosja e skulpturës “Kujtim i hidhur i fëmijërisë” në parkun “Ukraina”, është një akt i thellë simbolik që tejkalon kufijtë kombëtar. Ajo na kujton se fëmijët, të pafajshmit më të brishtë të çdo shoqërie kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë viktima të konflikteve, dhunës dhe urisë në shumë pjesë të botës. Kjo vepër artistike vjen si një kujtesë e heshtur për tragjedinë e Holodomorit - urisë së viteve 1932-1933 në Ukrainë, që mori miliona jetë, përfshirë edhe ato më të pambrojturit, fëmijët.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Kjo skulpturë është njëkohësisht edhe një thirrje për reflektim ndaj pasojave tragjike, që sjellin luftërat dhe padrejtësitë, sidomos për fëmijët.
ABIBE QAILI
