Bombardime izraelite në pikat e ndihmave! Gaza, brenda javës 500 të vrarë, mijëra të plagosur
Ushtria izraelite edhe sot ka vazhduar me bombardime...

Ushtria izraelite edhe sot ka vazhduar me bombardime mbi të gjithë Rripin e Gazës, duke lënë të vrarë dhjetëra civilë. Me këto sulme, numri i të vrarëve brenda kësaj jave ka arritur në 500.
Shumica e viktimave janë vrarë në Kan Junis, gjatë përpjekjeve për të marrë ushqim nga kamionët e ndihmave, që pas gati tre muajve bllokadë, me shumë pengesa u lejuan të hynin në enklavën e luftës.
"Ai doli nga shtëpia për të na sjellë ushqim. Mbeti vonë dhe u detyrua të kalonte natën me shokun e tij. Gjatë kohës që merrnin miell, ai dhe shoku i tij u vranë.", - tha një qytetare.
"Dy djem i kam futur këtu në një vend. Ata i vranë djemtë e mi, njëri 13 vjeç, tjetri 9 vjeç. Fëmijët e tjerë nuk di ku i kam. Nuk mund t'i gjej.", - u shpreh babai i dy djemve të vdekur, Osama Abu Mosabah.
Izraeli deklaroi se do t’i lejojë ndihmat, Okb: Në Gazë nuk është shpërndarë asnjë ndihmë
Pavarësisht se kamionët me ndihma më në fund u lejuan të hynin në Gazë nga Izraeli, OKB-ja thotë se asnjë ndihmë nuk ka arritur ende tek njerëzit në nevojë. Izraeli nuk u lejon gazetarëve ndërkombëtarë nga organizatat mediatike qasje të pavarur në Gazë.
“Ne kemi nevojë për ndihmë për të hyrë tani në Gazë. Duhet të shkoj te njerëzit që dëshprimisht kanë nevojë dhe të dërgoj ushqim. Familjet në Gazë vuajnë nga uria dhe në të njëjtën kohë bombardohen çdo ditë në kushte të tmerrshme. Ne i kemi të gjitha, por nuk na lejojnë t’i dërgojmë.”, - theksoi Luis Vateridge nga UNRVVA.
"Shumë raste vuajnë nga kequshqyerja ose mungesa e ushqimit, nuk u ka mbetur asnjë pikë forcë të vijnë, nuk mund të lëvizin, nuk mund të shkojnë në spitale. Mbyllja në fakt e bën jetën të bllokuar këtu në Gazë, pa makina, pa karburant, pa energji elektrike.", - deklaroi koordinatori i projektit, Shoqata “Avda”, Ali Naser Jabr.
Kreu i Vatikanit, Papa Leoni XIV, tha se situata në Rripin e Gazës po bëhet gjithnjë e më shqetësuese dhe e dhimbshme, ndërsa bëri thirrje për hyrjen e ndihmës humanitare.
"Unë përsëris apelin tim për të lejuar hyrjen e ndihmës së drejtë humanitare dhe për t'i dhënë fund armiqësive, çmimin e lartë të të cilave e paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët.", - theksoi Papa Leo XIV.
Për gjendjen në Gazë ka reaguar edhe sekretari i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale i Mbretërisë së Bashkuar, Stiv Rid.
Ai tha se Qeveria e Britanisë do të bëjë çdo gjë të nevojshme për të ndaluar sulmet e Izraelit në Gazë dhe për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare.
“Kjo është përtej vetëmbrojtjes legjitime izraelite. Ky është një sulm që ne nuk do ta tolerojmë më. Askush në botë nuk dëshiron të shohë imazhet që regjistrohen në Gazë tani. Situata është e patolerueshme. Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, po i përkeqëson gjërat, nuk po i përmirëson.", - u shpreh sekretari i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale i Mbretërisë së Bashkuar, Stiv Rid.
Ndërkohë në Irlandë po mbahen protesta të mëdha në mbështetje të Palestinës dhe kundër veprimeve të Izraelit në Gazë. Ata po kërkojnë që "Qeveria të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe reale.
Ndër të tjera, protestuesit kërkojnë sanksione tregtare dhe një bojkot të Izraelit në të gjitha sferat, deri në ato kulturore dhe sportive. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
