Ndërtime pa leje në Çair, Arsovska: Ganiu ka lejuar ndërtimet pa leje

21.05.2025 16:45

Vazhdon lufta mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovskës...

Vazhdon lufta mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovskës, dhe kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu. Këtë rradhë, temë e përplasjes, ndërtimet pa leje. Kryetarja e Qytetit të Shkupit vizitoi komunën e Çairit, ku inspektoi dy vende ndërtimi që ajo tha se ishin ndërtime të paligjshme.

Arsovska i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovskit, që të inspektojë vendet, ndërsa i kërkoi kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu, të vinte në terren dhe të shpjegonte se si lejon që të bëhen ndërtime të paligjshme kudo në komunën e tij.

"Aktualisht, në komunën e Çairit, në kundërshtim me ligjin, kanë filluar ndërtime të reja pa leje. Fatkeqësisht, Ministria e Brendshme nuk ka reaguar as në këtë pikë. I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, të reagojë. Gjithashtu i bëjmë thirrje Stojançe Angelovit të vijë këtu për të parë këto gropa të pasigurta, ku çdo kalimtar, fëmijë ose çdo banor mund të lëndohet. Të dalë në vend dhe të thotë nëse ka një 'siguri të parën' këtu.", - deklaroi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Ganiu: Që moti kërkojmë ndërhyrje nga qyteti

Për këto akuza ka reaguar edhe kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ai tha se prej më shumë se tre vitesh e gjysmë, Çairi ka kërkuar nga Qyteti i Shkupit që të ndërhyjë përmes inspektoratit, por nuk ka pasur përgjigje.

“Unë me kohë, kam edhe letra komunikimi dhe kërkoj që inspektorati i tyre të veprojë në komunën e Çairit. Ne nuk kemi pasur asnjë përgjigje deri më tani. Mua më vjen mirë që ajo sot është zgjuar pas asaj pres-konference, ku ju e shihni se nuk funksionon grumbullimi i mbeturinave, i materialeve voluminoze. Ne morëm nismë që t’i mbledhim, na ndalën.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Sa i përket thirrjes së Arsovskës, që ai të paraqitet në vendin e inspektimeve, Ganiu tha se nuk mundi të jetë aty për shkak të një aktiviteti të organizuar më herët nga komuna. (Ersan Pajaziti, TVM2)