Maqedoni

Raporti i AP-së nuk përfillet, Ziberi i pakënaqur me reagimin e institucioneve

22.05.2025 14:03

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ka deklaruar se kur janë në pyetje rekomandimet...

Avokati i Popullit, Naser Ziberi, ka deklaruar se kur janë në pyetje rekomandimet e përgjithshme që burojnë nga raporti vjetor, institucioni Avokati i Popullit, nuk është aspak i kënaqur, me mënyrën e reagimeve të institucioneve të shtetit, dhe si rezultat i asaj ndodh që në raportet vjetore të përsëriten rekomandimet si rezultat i moszbatimit të masave që i përcakton Kuvendi dhe të njëjtat ia dorëzon Qeverisë.
 
Këto prononcime Avokati i Popullit, Naser Ziberi, i bëri në Konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit, në bashkëpunim zyrën e Komisarit të lartë të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe UNDP-së, ku u debatua për gjendjen e lirive dhe të drejtave në vend, rolin e Avokatit të Popullit dhe të drejtat e njeriut.
 
“Jam i detyruar të them se kur janë në pyetje rekomandimet e posaçme për çdo lëndë veças, jemi të kënaqur se si reagojnë institucionet, por kur janë në pyetje rekomandimet e përgjithshme që burojnë nga raporti vjetor, këtu jemi totalisht të pakënaqur. E gjithë kjo është si rezultat i faktit që Kuvendi me shumë vonesë aprovon masat për zbatimin e rekomandimeve dhe në këtë mënyrë Qeveria nuk jep llogari para Kuvendit se si ka vepruar, ndërsa konform ligjit, Qeveria është e detyruar që dy herë në vit para Kuvendit të japë llogari për atë se si i ka zbatuar masat për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Ziberi.
 
Por, nënkryetarja e Kuvendit i dha mbështetje dhe porositi se përgjegjësia është e përgjithshme.
 
“I nderuar Avokat i Popullit, e keni përkrahjen time personale në drejtim të plotësimit të ligjit për pavarësi edhe më të madhe të institucionit tuaj. Përgjegjësia nuk mund të bie vetëm te ky institucion dhe te sistemi shtetëror, por të gjithë duhet si shoqëri të mbajmë përgjegjësi dhe të tregojmë se ky sistem mund të përmirësohet.”, - theksoi nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska.
 
Sipas Avokatit të Popullit, Naser Ziberi, më së shumti shkelje vitin e kaluar janë regjistruar në çështjet statusore që kanë të bëjnë me dokumentet personale, faturat për energji elektrike, si dhe punën e përmbaruesve.
 
Po ashtu Ziberi njoftoi se gjatë vitit 2024, në zyrat e Avokatit të Popullit janë pranuar mbi 2.700 parashtresa dhe ankesa, ndërsa Avokati i Popullit ka vepruar për 3.120 parashtresa, sepse një numër i parashtresave janë bartur nga viti paraprak. 
 
FITIM KRYEZIU