Maqedoni
Zhelinë, përurohet rruga Pallaticë - Tetovë
22.05.2025 14:21
Kreu i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, i shoqëruar me kreun e Tetovës, Bilall Kasamin...

Kreu i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, i shoqëruar me kreun e Tetovës, Bilall Kasamin, dhe kryeministrin e vendit, Hristijan Mickoski, përuruan rrugën e fshatit Pallaticë që e lidh me Tetovën. Ky investim është pas 40 vitesh, tha i pari i Zhelinës, Sejdiu.
Sipas tij, investimet e komunës bashkë me Qeverinë nuk ndalojnë këtu duke investuar në çdo vendbanim. Projekti në fjalë e ka vlerën e 27 milionë denarëve, 20 milionë nga Qeveria e vendit dhe shtatë milionë nga buxheti i komunës së Zhelinës.
“Ky projekt përfshin 1.500 metra gjatësi të rrugës, pesë metra gjerësi deri në gjashtë metra bashkë me bankinat, 500 metra mure mbrojtëse dhe një urë e gjatë 11 metër. Vlera e rrugës është 27 milionë denarë nga të cilat 20 milionë denarë i siguroi Qeveria, ndërsa 7 milionë denarë buxheti i komunës së Zhelinës. Po punojmë në çdo cep të komunës sonë, po i japim fund haresës, izolimit dhe padrejtësisë në Pallaticë dhe në çdo vendbanim të komunës se Zhelinës sot punohet si asnjëherë më parë.”, - deklaroi kreu i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitijan Mickoski, tha se e mbështet punën e kryetarit të komunës, sepse sipas tij, këto projekte janë dëshmi se kryetari i komunës se Zhelinës e kryen mirë punën e tij.
“Gjithashtu dua ta falënderoj edhe ministrin, anëtarët e Qeverisë, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë për mbështetjen që i japin për këtë program të Qeverisë, që nënkupton realokimin e mjeteve nga buxheti qendror dhe fokusimin në projekte reale për qytetarët. Një nga ato projekte është ky ku po qëndrojmë sot, ministri tha se në thirrjen e dytë kemi më shumë se 2.5 milionë euro, projekte që do të financohen për komunën e Zhelinës, ndërsa në thirrjen e parë ishin rreth 800.000 euro, që është gjithsej rreth 3.3 deri 3.4 milionë euro drejtpërdrejt nga buxheti, të cilat do të financojnë projekte në komunën e Zhelinës.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Punimet për ndërtimin e rrugës Pallaticë - Tetovë filluan në muajin shkurt të këtij viti dhe do të lidhë drejtpërdrejt vendbanimin Pallaticë, që është fshat i komunës së Zhelinës me qytetin e Tetovës dhe do ta shkurtojë rrugën shumë.
VISAR SADIKI
