Botë

Shqipëria drejt BE-së: Sot, konferenca e pestë ndërqeveritare me BE-në

22.05.2025 14:39

Shqipëria ulet mbrëmjen e sotme në tryezën e konferencës së pestë ndërqeveritare...

Shqipëria ulet mbrëmjen e sotme në tryezën e konferencës së pestë ndërqeveritare me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
 
Delegacioni do të kryesohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, të cilët do të marrin pjesë në grup-kapitullin e tretë të negociatave, atë të “Konkurrueshmërisë dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse”.
 
Ky grup-kapitull përfshin tetë fusha, si: Transformimi Digjital dhe Media, Tatimet, Politika Ekonomike dhe Monetare, Politika Sociale dhe Punësimi, Ndërmarrjet dhe Politika Industriale, Shkenca dhe Kërkimi, Arsimi dhe Kultura, si dhe Bashkimi Doganor.
 
Përparimi në këto fusha konsiderohet thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit. Deri më tani, Shqipëria ka çelur negociatat për grup-kapitujt e “Themeloreve”, “Marrëdhënieve me jashtë” si dhe “Tregut të Brendshëm”, ndërsa mbeten ende të pahapura “Agjenda e Gjelbër” dhe grup-kapitulli i “Burimeve, bujqësisë dhe kohezionit”
 
Konferenca e Katërt Ndërqeveritare u mbajt më 14 prill në Luksemburg, ku u hap grup-kapitulli për tregun e brendshëm.
 
LULJETA NDOKA