Maqedoni

Aktvendimi për spitalin modular, Mickoski: Prokuroria të rishqyrtojë rastin, Kasami: Vendimet të mos jenë politike

22.05.2025 15:15

Aktvendimi për spitalin modular me dënime minimale...

Aktvendimi për spitalin modular me dënime minimale ka ringjallur pakënaqësitë. Kryeministri, Hristijan Mickoski, edhe pse nuk është i habitur nga një vendim i tillë, që sipas tij vijnë nga gjykatës të politizuar, ai ka ftuar Prokurorinë që të rishqyrtojë edhe njëherë rastin.
 
Kryeministri, trajtim të drejtë ka kërkuar për të gjitha tragjeditë e tjera shtetërore.
 
“Në të kaluarën gjykatësit dhe prokurorët janë zgjedhur në shtabet e LSDM-së dhe BDI-së. Dhe ju çfarë vendimesh prisni nga ata gjykatës dhe prokurorë. Është logjike se do të marrim vendime të tilla për vëllain e një ish-ministri, sigurisht se s’do të jetë ndryshe. Ata gjykatës ashtu do të gjykojnë përderisa nuk ndodhë një ndryshim i plotë në gjykatë. Ftoj Prokurorinë edhe njëherë të rishqyrtojë të gjitha rastet, të cilat në të kaluarën janë zvarritur sikurse spitali modular, Llaskarca, “Besa Transi” dhe Koçani.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Edhe njeriu i parë i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, doli me të njëjtën kërkesë që procesi të rishqyrtohet. Kasami tha se detyrë e politikës është reformimi i sistemit të drejtësisë, ndërkaq gjyqësori duhet ta bëjë punën siç duhet.
 
“Ne do të inkurajojmë çdo prokuror dhe çdo gjykatës, që edhe në këtë rast si shumë raste të tjera, tragjedi që na kanë ndodhur në varg në të kaluarën duhet t’i trajtojmë njerëzisht dhe jo politikisht dhe unë besoj që vetëm ashtu do të vijmë deri te fajtorët e vërtetë dhe vetëm ashtu do të vijmë deri te vendimet e sakta.”, - theksoi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Gjykata e Tetovës dënoi me 1 vit e 6 muaj burg ish-drejtorin e spitalit, Florin Besimi dhe ish-drejtorin ekonomik, Artan Etemi, për djegien e spitalit modular në Tetovë.
 
Ndërkohë Spitali i Tetovës si person juridik është dënuar me gjobë prej 1 milion denarë. Spitali i Tetovës për gjobën e marrë do të ankohet në Apel. Të pakënaqur nga vendimi mbetën edhe familjarët e 14 viktimave. 
 
MERAL ISMAILI