Maqedoni

Trajko Sllaveski, propozim për guvernator, pushteti e mbështet, opozita e kundërshton

22.05.2025 15:33

Profesori universitar, ish-ministri i Financave dhe kryetari aktual...

Profesori universitar, ish-ministri i Financave dhe kryetari aktual i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Slaveski, është zgjedhja e presidentes për guvernator të ri të Bankës Popullore. Kryeministri Mickoski shmangu të japë një vlerësim për Sllaveskin, por konfirmoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do ta mbështesë atë. 
 
“Ai është vendim i presidentes së shtetit, nuk është vendim i Qeverisë. Në përputhje me Kushtetutëm, presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, e parashtron atë propozim, ashtu që nuk kam çfarë të shtojë në lidhje me atë. Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do ta përkrahë atë propozim.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Nga ana tjetër, nga LSDM ashpër kundërshtojnë propozimin e Siljanovskës për guvernator të shtetit. Nga LSDM theksojnë se është e paprecedentë të lejohet që një ushtar partiak klasik të drejtojë këtë institucion të rëndësishëm financiar.
 
"Ne nuk do ta mbështesim propozimin për guvernator, sepse zgjedhja është ekskluzivisht partiake. Kjo nuk është një zgjedhje që do të sjellë një ekspert në pozitën e guvernatorit të Bankës Popullore, gjë që ka qenë, do të thosha, një traditë gjatë viteve të kaluara. Nga pozita e kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit vjen si propozim për guvernator të Bankës Popullore. Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është se ai është një person që është kundër rritjes së pagës minimale, kundër politikave ekonomike që janë në të mirë të qytetarëve. Ai ishte kundërshtari më i madh, nëse mbani mend, ai thoshte se edhe 9.000 denarë ishin shumë për pagë minimale e kështu me radhë.", - theksoi Oliver Spasovski nga LSDM.
 
Sipas Kushtetutës, guvernatori propozohet nga presidenti i vendit, zgjedhja e tij duhet të bëhet në koordinim me shumicën qeverisëse, pasi për zgjedhje kërkohen 61 deputetë ose një shumicë e thjeshtë. 
 
ERSAN PAJAZITI