Maqedoni
Tragjedia në Koçan, Kocevski: Hetimi pritet të përfundojë për dhjetë ditë
22.05.2025 15:51
Prokurorët publikë kanë marrë në pyetje mbi 300 dëshmitarë për zjarrin në Koçan...

Prokurorët publikë kanë marrë në pyetje mbi 300 dëshmitarë për zjarrin në Koçan, zbuloi prokurori publik, Kocevski. Sipas tij, hetimi është në fazë të ndjeshme dhe pritet të përfundojë për rreth dhjetë ditë, pas së cilës të dyshuarit do të kenë mundësi të shohin provat dhe nga mesi i qershorit Prokuroria e Koçanit pritet të marrë një vendim.
Është e mundur që hetimi të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë të dyshuar.
“Kjo është e gjitha që mund të bëjmë për momentin. Si dje, ashtu edhe aktualisht, po merren në pyetje dëshmitarët dhe të dyshuarit, si dhe po mblidhen prova. Deri më tani janë marrë në pyetje një numër i madh dëshmitarësh, ndoshta mbi treqind. Shpresoj që prokurorët publikë do ta përfundojnë procedurën sipas planit me dinamikën.”, - deklaroi Ljupço Kocevski.
LSDM sërish dorëzon propozim-ligjin për viktimat, VMRO abstenon ndaj propozimit
LSDM dhe koalicioni sërish kanë dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për mbështetje të viktimave në Koçan. Propozim-ligji kërkohet të shqyrtohet në procedurë të rregullt, ku janë të përfshira vërejtjet e shumicës parlamentare.
“Ky propozim-ligj parashikon që familjeve të viktimave nga tragjedia në Koçan t’u jepet dëmshpërblim prej 80.000 euro, ndërsa të gjithë atyre që janë të lënduar nga kjo ngjarje, varësisht nga shkalla e invaliditetit apo lëndimeve që pësuan, do të vlerësohet dëmshpërblimi që do ta marrin.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Nga VMRO-DPMNE shprehen të përmbajtur rreth tragjedisë së Koçanit.
“Qeveria që në minutat e para të ndodhjes së tragjedisë së tmerrshme është në mbështetje të të gjithë atyre që pësuan nga kjo tragjedi, nga transporti i të të lënduarve deri tek të gjitha hetimet për zbulimin e kësaj tragjedie.”, - u shpreh deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski është takuar me pjesën më të madhe të familjeve të Koçanit, që janë pjesë e tragjedisë dhe paralajmëroi se do të vazhdojë takimet dhe t’i ndihmojë familjet e të lënduarve.
ABIBE QAILI
