Maqedoni
Nënshkruhet marrëveshja për partneritet, 6 miliardë euro për projekte kapitale
22.05.2025 16:46
Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe sot në Londër nënshkruan marrëveshjen...

Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe sot në Londër nënshkruan marrëveshjen për partneritet strategjik me të cilën vendi do të ketë në dispozicion 6 miliardë euro për zbatimin e projekteve kapitale në fushat e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjisë, teknologjisë, si dhe në fushën e mjedisit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, tha se me këtë marrëveshje dhe me këto mjete do të realizohen projekte edhe në sferën e mjedisit jetësor, për të zgjidhur problemet të cilat kanë qenë evidente vite të tëra.
“Kjo është një ditë historike për shtetin. Me nënshkrimin e marrëveshjes me Britaninë e Madhe do të investohet në shumë sfera si në arsim, shëndetësi, projekte të ndryshme, duke përfshirë edhe ato për ekologji. Me dekada mundohemi që ta zgjidhim problemin me mbeturinat e rrezikshme, në veçanti nga fabrikat të cilat janë nga ish-Jugosllavia, të cilat paraqesin rrezik edhe për natyrën edhe për qytetarët dhe ja mundësia që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti.
Marrëveshja u firmos nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit, Geret Tomas. Nikollovski theksoi se kjo është një ditë historike për vendin dhe se do të investojnë në shumë projekte, të cilat janë të nevojshme për vendin.
“Kemi një ditë historike për Maqedoninë dhe një ditë historike për marrëdhëniet mes dy shteteve. Është një punë e madhe që ka shumë rëndësi në marrëdhëniet politike – po fitojmë një aleat të fuqishëm. Për më tepër, kjo marrëveshje ka shumë rëndësi për zhvillimin e shtetit. Ka shumë rëndësi edhe në aspektin ekonomik, duke pasur parasysh se vihet në dispozicion një shumë prej 5 miliardë funte, 6 miliardë euro. Kjo është diçka që Maqedonia nuk e ka parë kurrë në historinë e saj.”, - theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski.
Edhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit, Garet Tomas, uroi që me këto mjete të realizohen projekte të shumta në të mirën e qytetarëve. Tha se me këtë marrëveshje do të thellohen edhe më shumë marrëdhëniet mes të dyja vendeve.
“Është vërtet privilegj dhe kënaqësi të mirëpresim ministrin Nikollovski këtu në Londër së bashku me gjithë përbërjen e ministrave të tjerë që përfshin delegacionin e RMV-së. Britania e madhe dhe Maqedonia e Veriut veç më kanë marrëdhënie mjaft të fuqishme dhe ky nënshkrim i kësaj marrëveshjeje është një hap akoma më i madh edhe për tregti në të ardhmen, për të punuar së bashku, për biznese të ndryshme.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë në Britani, Garet Tomas.
Marrëveshja për partneritet strategjik mes dy vendeve u arrit para një jave në Tiranë, ku dhe u mbajt Samiti Evropian. Marrëveshja do të ratifikohet në Parlament, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ajo miratohet nga Qeveria.
Më pas, marrëveshja do të bëhet efektive. Nga Qeveria shpresojnë që deri në fund të vjeshtës të fillojë puna në terren. Shpresojnë në hapjen e perspektivave të reja për bashkëpunim në fusha kyçe dhe të përfitojnë qasje në ekspertizën britanike, mbështetje financiare për reformat dhe mundësi për investime në sektorë strategjikë si energjetika, infrastruktura dhe inovacioni.
ARMEND MURSELI
