Botë

Incident i rëndë para Muzeut Hebraik në ShBA, u vranë dy zyrtarë izraelitë, sulmuesi u arrestua

22.05.2025 17:04

Dy zyrtarë të ambasadës izraelite në ShBA u vranë para Muzeut Hebraik...

Dy zyrtarë të ambasadës izraelite në ShBA u vranë para Muzeut Hebraik në Uashington. Sulmuesi 30-vjeçar nga Çikago është arrestuar. Gjatë arrestimit ai bërtiste “Liri për Palestinën”.
 
Presidentët e ShBA-së dhe Izraelit shprehën ngushëllime për viktimat dhe të plagosurit. Autoritetet sigurojnë se nuk ka kërcënim për komunitetin. Sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera, që nga fillimi i luftës në Gazë. 
 
“Ky incident i tmerrshëm ka frikësuar shumë njerëz në qytetin tonë dhe në vendin tonë dhe dua të jem e qartë se nuk do të tolerojmë dhunë apo urrejtje.”, - deklaroi  kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Boëser.
 
“Çifti u qëllua për vdekje në emër të ‘lirisë për Palestinën’. Ishte një çift i ri që planifikonte të fejoheshin. Djali bleu një unazë këtë javë, me qëllim që t’i propozonte të dashurës javën tjetër në Jerusalem.”, - theksoi ambasadori izraelit në ShBA, Yechiel Leiter. 
 
Gatishmëri për përfundimin e luftës, Netanjahu: Do ta zbatojmë planin e Trampit
 
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, njoftoi se do të rritet siguria në misionet izraelite dhe se ofensiva do të vazhdojë deri në shfarosjen e Hamasit.
 
Ai tha se në Gazë ndodhen ende 20 pengje të gjalla dhe nëse ekziston mundësia për një armëpushim të përkohshëm që do t’i kthente ata në shtëpi, ai do të pajtohej. Netanjahu zbuloi gjithashtu një plan në tre faza për shpërndarjen e ushqimeve bazë për civilët në enklavë.
 
“Jam i gatshëm ta përfundoj luftën, por me kushte të qarta që do ta sigurojnë sigurinë e Izraelit. Të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi, Hamasi të dorëzojë armët dhe të largohet nga pushteti, udhëheqësia e tyre të dëbohet nga Gaza ose ajo që ka mbetur prej saj dhe Gaza të çlirohet plotësisht nga armët. Ne do ta zbatojmë planin e Trampit. Është një plan i mirë dhe bën ndryshim. Banorët e Gazës që duan të largohen, mund të largohen.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Ndërkohë, dhjetëra kamionë, për herë të parë pas 81 ditësh, hynë në enklavë. Më herët OKB-ja kishte njoftuar për vonesa në shpërndarje dhe se rruga e propozuar nga forcat mbrojtëse izraelite nuk ishte e sigurt.
 
“Partnerët tanë janë në kontakt me udhëheqësit e komuniteteve në Gazë për të zbutur rrezikun nga grabitjet dhe për të siguruar që furnizimet që hyjnë në Gazë të arrijnë te njerëzit që kanë nevojë. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se furnizimet e kufizuara që më në fund do të lejohen të hyjnë në Kerem Shalom nuk janë as për së afërmi të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e mëdha në Gazë.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
Kriza humanitare katastrofike në Gazë ka alarmuar liderët botërorë. Londra ndërpreu bisedimet për tregti të lirë, ndërsa BE-ja njoftoi rishikim të marrëveshjes për lidhjet tregtare.
 
Netanjahu ndërkohë bëri të ditur se ushtria izraelite me gjasë ka vrarë liderin e Hamasit, Mohamed Sinëar, i cili ishte vëllai i Jahija Sinëar, që është vrarë më parë.
 
BELINDA KOKA ADEMI